PTK’ja duhet të privatizohet

Safet Gërxhaliu thotë se privatizimi i PTK’së duhet të bëhet sa më shpejt, sepse do të jetë test për kompanitë gjermane që duan të investojnë në Kosovë.

Lajme

26/10/2013 15:09

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu është i mendimit se privatizimi më i shpejtë i PTK’së do të sillte investime të tjera nga kompanitë gjermane.

Ndërsa në të kundërtën, mosprivatizimi i saj, do i sillte dëme të mëdha Kosovës.

“Është koha, kur duhet procesi i privatizimit të PTK-së të përshpejtohet sa më shpejtë që është e mundur”.

“Mosprivatizimi është duke dëmtuar dhe më tutje në rend të parë ndërmarrjen në fjalë, në rend të dytë ambientin biznesor në Kosovë dhe mbi të gjitha informacionet që ne i kemi.”

“Privatizimi i PTK’së, nga kompania gjermane, është vetëm një test, për të përgatitur hyrjet në Kosovë, të kompanive më prestigjioze, të brendeve gjermane në tregun e Kosovës. Prandaj nëse do të humbet kjo perspektivë, që kjo kompani të mos privatizohet, vërtetë do të jetë një dëm shumë i madh.”

“Jemi të vetëdijshëm se prapa kompanisë AXOS qëndrojnë kompani, shumë më të fuqishme apo reputative, brende jo vetëm të nivelit gjerman por edhe europian, të cilët përmes privatizimit të PTK-së, e testojnë dhe ambientin biznesor në Kosovë”.

Safet Gërxhaliu tha se ky proces nuk duhet të politizohet. Kosova, sipas tij duhet të forcojë partneritetin me Gjermaninë, sepse ky është një test për Kosovën dhe institucionet e saj, dhe se ky rast duhet shfrytëzuar, në mënyrë që të tregohet gatishmëri për tërheqjen e investitorëve të tjerë të huaj.