PTK nuk i paguan gjobë OSHP-së

Ndërmarrja Publike më profitabile në vend, nuk e ka paguar ende gjobën prej 50 mijë eurosh të shqiptuar nga OSHP në vitin 2013.

Lajme

12/04/2014 09:08

Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) ende nuk e ka paguar gjobën prej 50 mijë eurosh që ia kishte shqiptuar Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), shkruan Zëri.

Gjykata e tenderëve këtë vendim e kishte marrë në vitin 2013, për shkak se zyra e prokurimit të Ndërmarrjes Publike më profitabile në vend, kishte bërë shkelje të rëndë të dispozitave të Ligjit të Prokurimit.

Në raportin vjetor të OSHP-së thuhet se duke u bazuar në nenin 131 të LPP-së, për shkak mosrespektimit të vendimeve të Paneleve Shqyrtuese nga ana e Autoriteteve Kontraktuese, OSHP ka shqiptuar tri (3) gjoba në vlerë prej: 80.000.00 euro, njëra ndaj autoritetit kontraktues Komuna e Parteshit në vlerë prej:10.000.00 €, tjetra ndaj autoritetit kontraktues Trepça në vlerë prej: 20.000.00 € dhe e treta ndaj autoritetit kontraktues Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës në vlerë prej: 50.000.00 €.

Sipas OSHP-së, Autoriteti kontraktues Trepça e ka bërë pagesën në vlerë prej: 20.000.00 €, ndërsa dy (2) autoritetet tjera kontraktuese nuk e kanë bërë pagesën e gjobave.

“Siç dihet, vendimet e OSHP-së janë përfundimtare dhe të ekzekutueshme, mirëpo në disa raste, thesari i MF-së nuk i zbaton vendimet tona në lidhje me gjobat, me arsyetimin se ky Institucion i ekzekuton vetëm vendimet e plotfuqishme të gjykatave kompetente e jo edhe ato të organeve administrative siç është rasti me OSHP-në”, thuhet në raport.