Pronari i Agon Channel i ka fshehur kompanitë duke i regjistruar në emër të të afërmeve

Nëna e Francesco Becchettit, Liliana Condomitti, rezulton të jetë emri mbi të cilin është ngritur gjithë rrjeti i kompanive të regjistruara në Shqipëri nga investitori italian.

Lajme

09/06/2015 10:22

Ajo është administratore e kompanisë Costruzioni srl, por ka 80 për qind të aksioneve edhe në kompaninë Energji shpk, 80% në kompaninë Cable System, po 80 për qind në kompaninë 400 KV dhe 40 për qind të aksioneve në kompaninë Agonset.

Në asnjë prej këtyre subjekteve nuk figuron emri i Francescos, por si administrator, veç nënës së tij të moshuar, janë edhe italianë, si Mauro de Renzis në shumë raste, Stefania Grigolon, si dhe persona me shtetësi shqiptare.

Ndër këta të fundit bien në sy emrat e vjehrrit, vjehrrës dhe kunatit të vetë Francesco Becchettit: Hysni Kamberi, Vjollca Kamberi dhe Arvin Kamberit, përkatësisht babai, nëna dhe vëllai i Armela Kamberit, bashkëshortes shqiptare të tij, me të cilën kanë dy fëmijë. Vjehrri rezulton aksioner me 80% tek kompania Fuqi, ku vëllai i gruas mban 20% të aksioneve, ndërkohë që vjehrra ka 20 për qind të aksioneve në kompaninë Energji shpk.