Prokurorja harron të pandehurin, s’paraqitet prej 3 muajsh në gjyq

Në shumicën e rasteve, proceset gjyqësore zvarriten nga të pandehurit apo avokatët e tyre mbrojtës. Por, një precedent i padëgjuar më parë po ndodh në Gjykatën e Tiranës.

Lajme

29/05/2016 20:26

Prokuroria e këtij rrethi duket se ka harruar një të pandehur, të cilin e ka akuzuar dhe e ka dërguar për gjykim për akuzën e shtyrjes së të miturit në krim. Bëhet fjalë për të pandehurin Arbër Gurakuqi, të cilit prej 3 muajsh nuk i paraqitet në procesin gjyqësor përfaqësuesja e akuzës.

Më konkretisht, nga data 3 mars kur është hapur procesi në Gjykatën e Tiranës, nuk është zhvilluar asnjë seancë ndaj Arbër Gurakuqit, ndonëse janë caktuar 6 të tilla. Në asnjërën prej tyre nuk është paraqitur prokurorja Liljana Gjomema.

Top Channel ka mësuar se prokurorja Gjomema ka qenë në prag pensioni, por fakti është që për 3 muaj ky proces vetëm zvarritet. Në të tilla kushte, gjyqtarja e çështjes Vjollca Spahiu, në seancën e fundit i ka kërkuar drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës, që të caktojë një prokurore për këtë çështje, në mënyrë që t’i japë fund kësaj zvarritjeje të pazakontë, që është shkaktuar vetëm si pasojë e mungesës së përfaqësuesit të akuzës. /tch