Prizren, policia zbulon 84 kg marihuanë

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren ka realizuar një operacion policor të koduar me emrin PATKOI, me ç’rast ka arrestuar një person, me dyshimin e bazuar se  ka kryer veprën penale ‘trafikim me substanca narkotike’.

Lajme

21/07/2014 19:31

Personi i arrestuar është shtetas i Kosovës, S. B., i lindur më 1963.

Operacioni ka filluar të dielën mbrëma pas orës 21, me bastisjen e shtëpisë së personit të dyshuar në rajonin e Prizrenit dhe një shtëpie tjetër, pronë e vëllait të personit të arrestuar, por e cila ishte nën përkujdesje të personit tashmë të arrestuar.

“Gjatë bastisjes në shtëpinë e dytë, në një pjesë ndarëse nga shtëpia (aneks) janë gjetur 8 thasë të zinj, në të cilët gjendeshin gjithsej 164 paketime me substancë narkotike që dyshohet të jetë e llojit marihuanë. Pas matjes nga zyrtarët e forenzikës, ka rezultuar se pesha e substancës së dyshuar e llojit marihuanë që tashme është konfiskuar është 84 kilogram e 32 gramë”, bën me dije Policia e Kosovës.

Gjatë bastisjes, në oborr gjithashtu janë gjetur të mbjella në dy saksi 10 bimë kanabis sativa, që po ashtu janë konfiskuar.

“Me dyshimin se janë fituar në mënyrë të paligjshme, janë konfiskuar në cilësi të provave materiale edhe 1,000 franga zvicerane, 320 euro si dhe një telefon Nokia C 3. Ndërsa në një lokacion tjetër, në shtëpinë e vëllait të personit të dyshuar, janë gjetur dhe konfiskuar 3,900 euro, 300 kruna, 2,900 lekë të Shqipërisë, 10 dinarë të Serbisë dhe tre pasaporta dhe një dokument udhëtimi, të gjitha në emër të vëllait të të dyshuarit”, njofton më tej Policia.

Ndërkaq, gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar edhe 20 fishekë, kalibri 38 mm.

Të gjitha veprimet policore janë kryer me urdhër të prokurorit përkatës dhe të gjyqtarit të procedurës paraprake. Personi i dyshuar është dërguar në mbajtje për 48 orë.