Pritja e madhe për shpërthimin ekonomik të Trepçës

Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava thotë se çështjes së statusit të “Trepçës” duhet t’i vihet pika një herë e mirë. Ai thotë se kompania nuk ka pasur mundësi që të shpërthej ekonomikisht. Premton se do të angazhohet në zhvillimin e “Trepçës”.

Lajme

10/02/2014 10:50

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Trepça”, Ahmet Tmava, thotë se pritjet janë të mëdha për Ligjin për Trepçën, si nga ana e menaxhmentit ashtu edhe nga populli.

Në një intervistë në Programin e Mëngjesit në RTK, Tmava deklaroi se gjatë menaxhimit të AKP’së, “Trepça” nuk ka pasur mundësinë e ‘shpërthimit’ ekonomik.

“Jam i sigurt që të gjitha institucionet që janë duke punuar për draftimin dhe miratimin e ligjit për ‘Trepçën’, dhe është përgjegjësi e tyre se si do të duket ky ligj”.

“Por, pritjet tona dhe të qytetarëve janë shumë të mëdha”.

“Në këto 15 vjetët e fundit, asnjëherë nuk e ka pasur atë mundësinë e shpërthimit në aspektin ekonomik”.

“Unë mendoj se një herë e mirë duhet t’i vihet pikë kësaj çështje”.

“Trepça do t’i ketë duart e lira për të vepruar”.

Ahmet Tmava ka vetëm dy ditë që është zgjedhur në postin e drejtorit të përgjithshëm të “Trepçës”. Ai thotë se prioritet do të jetë zhvillimi i kësaj kompanie.

“Ne si menaxhimet më shumë do të angazhohemi se si do të menaxhojmë, se si do t’i bëjmë një vlerësim të gjitha resurseve që i ka Kosova, cilat do të jenë format e shfrytëzimit racional të resurseve, cilat janë format, në çdo element të cilat do t’i jepnin mundësi, që vizioni i zhvillimit të Trepçës të jetë si një dhe si tërësi”.

“Një nga prioritetet që në start është masat preventive për shëndetin e minatorëve dhe që t’i kthehet dinjiteti edhe minatorëve por dhe vet ‘Trepçës’ dhe fuqia e Trepçës të shihet si fuqi reale, duke prodhuar”.

“Trepça gjithmonë ka pasur rritje të prodhimit, por kërkohet një menaxhim më efikas që të zvogëlohen shpenzimet”.