Presidenti kinez viziton për herë të parë Britaninë e madhe

Presidenti kinez Xi Jinping ka nisur vizitën e tij të parë në Britaninë e Madhe, ku po pritet në një ceremoni madhështore ku është e pranishme edhe vetë mbretëresha.

Bota

20/10/2015 19:45

Zoti Xi dhe bashkëshortja e tij Peng Liyuan, morën pjesë në një kortezh nga Shëtitorja deri në Pallatin Buckingham, ku më vonë do të mbahet një banket.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se bashkëpunimi me Kinën bëhet për “interesa kombëtare”.

Vizita e Xi vjen në një kohë kur në Britani po verifikohet një humbje e vendeve të punës në sektorin e çelikut, për të cilën faji pjesërisht i atribuohet importeve me kosto të lirë kineze.

Lideri kinez u mirëprit nga mbretëresha, duka i Edinburgut dhe zoti Cameron gjatë ceremonisë në marshimin e Gardës Kalorsiake, ndërsa 41 topa u shkrehën në shenjë nderimi në Parkun e Gjelbër. Ai pritet të zhvillojë një takim kokë më kokë me monarken britanike.