Presidenti i Iranit shpall fundin e Shtetit Islamik

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, shpalli fundin e grupit militant Shteti Islamik, gjatë një fjalimi të transmetuar drejtpërdrejt në televizionin shtetëror iranian.

Bota

21/11/2017 11:52

“Do të doja të shpreh mirënjohjen time për luftëtarët për Islamin, diplomatët iranianë, Qeverinë iraniane dhe njerëzit e saj, liderin suprem (Ajatollah Ali Khamenei), forcat e armatosura, popullin iranian, popullin irakian, popullin sirian, popullin libanez për fundin e një grupi që nuk solli asgjë, përveç së keqes, dëmtimit, shkatërrimit, vrasjeve dhe egërsisë”, tha Rohani.

“Është fundi i një grupi terrorist që është ushqyer, armatosur dhe financuar nga fuqi të mëdha dhe disa vende konservatore në rajon”, shtoi ai.

Komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit, gjeneral-major Qassem Soleimani, po ashtu shpalli fundin e Shtetit Islamik përmes një mesazhi dërguar udhëheqësit suprem të Republikës Islamike.

Shteti Islamik ka pushtuar territore të mëdha në Siri dhe Irak në verën e vitit 2014, por ai është luftuar në disa fronte dhe është dobësuar ndjeshëm.

Garda Revolucionare e Iranit, një forcë e fuqishme ushtarake, ka luftuar në mbështetje të presidentit sirian, Bashar al-Assad, dhe qeverisë qendrore në Bagdad për disa vjet.