Policia me plan për zgjedhje

Ky plan parasheh sigurimin e materialit të ndjeshëm nën masat e sigurisë. Me këtë plan gjithashtu është caktuar kush ka të drejtë të qëndrojë tek materiali i ndjeshëm.

Lajme

23/09/2013 14:19

Policia e Kosovës ka përgatitur një plan operativ për zgjedhjet e 3 nëntorit. Ky plan parasheh planifikimin e transportimit të materialit të ndjeshëm nga depoja qendrore nëpër depot e Komisioneve Komunale Zgjedhore , sigurimin e materialit të ndjeshëm nën masat e sigurisë.

Me këtë plan gjithashtu është caktuar kush ka të drejtë të qëndroj tek materiali i ndjeshëm dhe shumë detaje tjera.

Plani Operativ i Policisë së Kosovës është prezantuar, të hënën, në Hotelin “Sirius” nga drejtuesit e KQZ’së dhe Policisë së Kosovës.

Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka deklaroi se roli i Policisë është i një rëndësie të veçantë dhe se po punohet që të arrijnë një objektiv të përbashkët, e që është, zgjedhje të lira, të drejta, fer dhe demokratike.

“Për një proces të rregullt zgjedhor ditë më parë ne kemi nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Prokurorinë e Kosovës, me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, me panelin zgjedhor për ankesa dhe parashtresa si dhe me Policinë”.

“Qëllimi i këtij memorandumi është ngritja e bashkëpunimit dhe koordinimit mes institucioneve tona për ndërmarrjen e aktiviteteve të luftimit me sukses, duke përfshirë parandalimin e të gjithë atyre që bien në kundërshtim me dispozitat e ligjit në fuqi lidhur me veprat penale kundër të drejtave të votimit”.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni njoftoi se Policia ka filluar të gjitha parashikimet e nevojshme që janë në kuadër të tyre për mbarëvajtje të zgjedhjeve.

“Ditëve në vijim ne do të jemi në kontakt dhe në koordinim të vazhdueshëm me të gjithë akterët relevant që kanë përgjegjësi në procesin zgjedhor”.

“Marrëveshja e mirëkuptimit e arritur ditë më parë ndihmon koordinimin dhe bashkërendimin e të gjitha aktiviteteve brenda tërë procesit dhe Policia e Kosovës tashmë ka përgatitur urdhrin operativ i cili parasheh një mori veprimesh dhe aktivitetesh konkrete në të gjitha fazat e këtij procesi”.

“Ne deri në këtë fazë kemi bërë detyrën tonë, ditëve në vijim do të përcjellim çdo rrjedh dhe natyrisht fokusi ynë kryesor do të jetë në ditën e zgjedhjeve”.

Bujar Basha, zëvendësdrejtor i Departamentit të Zgjedhjeve në OSBE ka thënë se OSBE-ja ka rol lehtësues në katër komuna në veri të Kosovës.

“OSBEa do të lehtësojë zgjedhjet lokale në katër komunat e veriut të Kosovës”.