Policia e Shtetit: Nuk po survejojmë familjen e Lulzim Bashës

Policia e Shtetit përgenjeshtron se është duke survejuar familjen e kreut të PD-së Lulzim Basha, duke e quajtur spekulim mediatik.

Lajme

01/06/2018 13:16

“Përgënjeshtrim rreth lajmit se familja Basha mbahet nën survejim – përmbajtja e shkrimit, një spekulim mediatik për qëllime të mbrapshta

Nuk është aspak e vërtetë që familja e z.Lulzim Basha, kryetar i PD-së, apo familjarë të tij, të mbahen nën vëzhgim nga forca policore.

Përmbajtja e shkrimit është tërësisht një spekulim mediatik me synim mashtrimin dhe keqinformimin e opinionit publik për qëllime që i gjykojmë të mbrapshta. Me keqardhje konstatojmë se lajmi në fjalë duket i fabrikuar nga zyrat e një partie politike dhe jo nga redaksi serioze.

Informimi i publikut rreth veprimtarisë së institucioneve të shtetit është një e drejtë e garantuar me ligj, prandaj nëse dikush do të kishte interes rreth së vërtetës, do ta merrte informacionin lehtësisht në rrugë zyrtare.

Me këtë rast theksojmë se z.Basha përfiton nga statusi si kryetar i opozitës, masa shtesë dhe shoqërohet nga forca të Gardës së Republikës.

Por nuk ka në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, monitorim survejues të tij nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Duke vlerësuar rolin e medias, Policia e Shtetit është e gatshme për t’iu përgjigjur çdo çështjeje me interes publik, në funksion të mirinformimit të qytetarëve”, thuhet në deklaratën e plotë të policisë.