A po e gjen Rusia regjimin simotër në Maqedoni?

Reagimi i Moskës zyrtare për ndodhitë e fundit në Maqedoni, pas protestave masive të opozitës, duke e drejtuar gishtin e fajësisë drejt opozitës, automatikisht ka dhënë një pasqyrë se ky pushtet aktual po gëzon një mbështetje të fuqishme nga rusët, shkruan Portalb.mk.

Lajme

17/04/2016 12:47

Rusët nuk kultivojnë vlera demokratike si vendet evropiane, ku edhe pretendon të anëtarësohet Maqedonia. Andaj në deklaratat e tyre për Portalb, njohësit e rrethanave politike në vend dhe gjetiu këtë reagim të rusëve e shikojnë si tendencë që të theksojnë ndikimin e tyre në Maqedoni.

Profesori universitar Denko Maleski thotë se kohën e fundit është theksuar më tepër rivaliteti mes Rusisë dhe SHBA-së.

“Rusia po sjell disa elemente nga Lufta e ftohtë. Këtë Rusia po e bën që të fitoj status më të rëndësishëm në politikën botërore. Në këtë kontekst janë edhe këto reagime për Ballkanin, por edhe Maqedoni. Këtë po e dëshmojnë edhe me përfshirjen taktike në gjendjen aktuale politike në Maqedoni, duke deklaruar se opozita nuk duhet të nxitë konflikt pushtetit”, tha Maleski për Portalb.

Por çfarë mund të ketë të përbashkët regjimi rusë me këtë të Maqedonisë?

Sipas analistit Albert Hani, është shqetësues fakti që për herë të dytë gjatë protestave anti-qeveritare, Ambasada Rusisë po mbron fuqishëm qëndrimet qeveritare, të cilët kontestohen për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe thyerje flagrante të të drejtave të njeriut.

“Siç duket njëmendësia që është duke zotëruar me Rusinë, është duke u promovuar te ne si opsion që kundërshton demokracinë. Nëse korrupsionit dhe autokracisë diktatoriale i duhet certifikatë kredibile, atëherë Rusija është vend i duhur ta prodhojë atë. Maqedonia duhet ta dijë se shumë lehtë mund të shëndrohet fushëbetejë e fuqive të mëdha, duke marrë parasysh se nuk ndezën tendencat për ta përdorë atë strategji dominuese me rastin e Turqisë. Në fund dua të theksoj se interesat Ruse po theksohen dukshëm në rajon, por nëse regjimi i atjeshëm kap për dore këtë të këtushmin, më len të kuptoj se ata kanë gjendje të mjerueshme ekonomike dhe politike”, tha Hani.

Në pyetjen e Portalb.mk si e komenton kumtesën e ambasadës së Rusisë se opozita maqedonase po nxitë konflikt si dhe a do të thotë që Rusia e përkrah Qeverinë, lideri i opozitës Zoran Zaev tha se opozita ka pasur shumë durim deri më tani duke u ulur me kriminelë në tavolinë.

“Ne duhet ta ruajmë kredibilitetin tonë para gjithë ndërkombëtarëve. LSDM ka dëshmuar se ka shumë durim gjatë gjithë këtij procesi, ne ishim ata që edhe pse e ditëm se ulemi në një tavolinë me kriminel, banditë dhe njerëz që e kanë keqpërdorur drejtësinë në Maqedoni, kemi qëndruar me ta për të gjendur zgjidhje në një tavolinë. Askush nuk ka të drejtë ta akuzojë opozitën. Edhe tash apeloj që të mos të ketë dhunë në protesta”, tha Zaev./protalb