Pesë sloganet kryesore

Partitë politike po presin fillimin zyrtar të fushatës për të dalë me sloganet e tyre. 'Për Kosovën Evropiane', 'Sot komuna, nesër Kosova', 'Ta ndryshojmë së bashku', 'Ndershëm me punë', 'Aleanca për Kosovën' janë pesë slogant kryesore në zgjedhjet nëntorit.

Lajme

30/09/2013 09:03

Partitë politike po finalizojnë përgatitjet e tyre për të çelur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Fushata zgjedhore zyrtarisht do të nis më 3 tetor dhe do të zgjas një muaj, kohë kjo e mjaftueshme për forcat politike që të shpalosin programet e tyre zgjedhore.

Të gjitha partitë politike pothuajse janë përcaktuar për sloganet e tyre parazgjedhore, përmes të cilave synojnë të mbledhin sa më shumë elektorat për vete.

Partia më e madhe në vend, PDK, sloganin e saj do ta ketë “Për Kosovën Evropiane”.

Sekretari i përgjithshëm i PDK’së, Basri Musmurati, se ky do të jetë slogani i tyre orientues.

“Sa i përket sloganit, në një farë mënyre jemi orientuar në dy apo tri slogane. Një nga orientimet është ‘Për Kosovën Europiane’. Por ditën e fillimit të fushatës, pra më 3 tetor, do të dalim me sloganin tonë zyrtar”.

LDK nuk kishte pas fat me sloganin e zgjedhjeve të kaluara. “LDK është e para” ishte slogani i atëhershëm që e radhiti të dytën në rezultatin final të zgjedhjeve këtë parti. Në këto zgjedhje LDK do të garojë me sloganin e bërë publik tashmë nga lideri i saj, Isa Mustafa, në rrjetin social Facebook- “Sot Komuna, nesër Kosova”.

Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova, thotë më 3 tetor do të zyrtarizohet slogani i kësaj partie.

“Është një variant dhe mund të jetë pikërisht slogani ‘Sot Komuna, nesër Kosova’, por më 3 tetor do ta bëjmë publike sloganin e LDK-së, me të cilin synojmë t’i fitojmë shumicën e komunave të Kosovës”.

Lëvizja Vetëvendosja garon me sloganin “Ta ndryshojmë së bashku”.

Sekretari organizativ i Lëvizjes ‘Vetëvendosje!’, Dardan Molliqaj, thotë se ky slogan nënkupton ndryshimin e qeverisjes aktuale së bashku me qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Duke e pasur parasysh gjendjen që është zhvilluar për këto vite në Kosovë nga të gjitha qeveritë e deritanishme, kemi vendosur që slogani i Lëvizjes Vetëvendosje! të jetë ‘Ta ndryshojmë së bashku’. Kemi vendosur për këtë slogan sepse ndryshimi mund të ndodhë vetëm atëherë kur je bashkë me ata të cilët kanë interes për të bërë ndryshime”.

Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit do të dalë para elektoratit të saj me sloganin e njëjtë – “Ndershëm me punë”.

Zv/Presidentja e AKR’së, Mimoza Kusari-Lila, ka një shpjegim pse kjo parti do ta ketë sloganin e njëjtë me atë të zgjedhjeve 2010.

“Edhe për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit AKR’ja ka vendosur që sloganin ta ketë ‘Ndershëm me punë’, pra të njëjtin të cilin e kemi pasur edhe në zgjedhjet e vitit 2010. Kemi vendosur kështu sepse besojmë se dinjitetshëm e kemi mbajtur këtë slogan në qeverisjen qendrore dhe do ta vazhdojmë edhe në qeverisjen lokale”.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është përcaktuar ende prë sloganin e saj. Por me gjasë do të jetë “Aleanca për Kosovën”, nëse shkohet me të njëjtin slogan me të cilin tash sa kohë po bënë fushatë kandidati i kësaj partie për kryetar të Prishtinës, Besnik Tahiri. Slogani i tij është “Aleanca për Prishtinë”. /Lajmi.net/Epoka e Re/