Përzgjidhen kompozimet e këngëve konkurruese për edicionin e 28 të festivalit “Zambaku i Prizrenit”

Gati për 'Zambakun e Prizrenit'.

ShowBiz

20/08/2016 12:41

Pas përfundimit të fazës konkurruese për edicionin e 28 të Festivalit të këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”, organizatori i Festivalit “Studio Helix” ka mbledhur jurinë në përbërje: Gjergj Kaçinari, Fikrim Emra, Menan Kiseri, Kastriot Marku dhe Salajdin Krasniqi (anëtarë i jurisë për vlerësimin e teksteve) e cila pas dëgjimit të këngëve konkurruese ka përzgjedhur 14 këngët që do të jenë pjesë e edicionit të 28, të këtij festivali të këngës së vjetër qytetare, të vetmit të kësaj natyre jo vetëm në Kosovë.

Juria në këtë përbërje ka përzgjedhur kompozimet e këtyre kompozitorëve që kanë konkurruar për pjesëmarrje në edicionin e 28 të Zambakut të Prizrenit: Tomor Berisha, Arsim Kryeziu, Isa Jakupi, Edon Ramadani, Artan Bakija, Ylli Kalaja, Nexhat Macula, Hisein Kazaz, Irfan Blakqori, Veton Perolli, Memli Kelmendi, Zehni Beqiraj Ylli Ramzoti dhe Shefqet Hoxha (Sheki).

Drejtori i edicionit të 28 të festivalit “Zambaku I Prizrenit” Istref Krasniqi  thotë se juria ka bërë përzgjedhjen e këngëve në bazë të rregullores së Kuvendit Komunal, që janë kriteret për këngë të zhanrit të muzikës së vjetër qytetare, pa e bërë asnjë lëshim në aspektin profesional.

Ai njofton se pas përzgjedhjes së këngëve edicioni i 28 është në fazën finale të përgatitjes dhe orkestrimi i këngëve shënon fazën para finale, ndërsa përgatitjet e orkestrit që do të paraqitet live do të fillojnë për pak ditë dhe deri ditën e mbajtjes së festivalit, që do të jetë një nga ditët e fundit të muajit, gusht çdo gjë do të jetë e gatshme.

Krasniqi pohon se Studio Helix ka hasur në vështirësi të jashtëzakonshme  gjatë kësaj faze për arsye të humbjes së kredibilitetit të festivalit në vitet e fundit, kur nuk janë paguar nga organizatori as kompozimet dhe as orkestrimet. Ai shpreh besimin se edicioni i sivjetmë do të dalloj nga edicionet e kaluar me besimin se ky vit do të jetë kthesë në organizimin e festivalit, i cili në të ardhmen duhet të mbahet dy netë.

Krasniqi thotë se edicioni i sivjetmë do të ndikojë në shtimin e interesimit të kompozitorëve në edicionet e ardhshme sepse, festivali deri në natën finale do të organizohet me transparencën më të madhe, e cila është garanci se festivali po i hap dyert edhe për kompozitorët e ri, thotë Krasniqi.

Ai më tej shton se ka hasur një zhgënjim të jashtëzakonshëm edhe te kompozitorët e vjetër e edhe te gjenerata e re e kompozitorëve, të cilët viteve të shkuara janë përballur me një jo profesionalizëm në organizim dhe trajtim të vlerave, ndërhyrje të ndryshme  dhe gjëra që nuk i bëjnë nder festivalit. Krasniqi gjithashtu njofton se janë përzgjedhur instrumentistët dhe dy dirigjentë dhe si për nga përgatitjet teknike, ashtu edhe nga ajoi muzikore Studio Helix është e përkushtuar për një edicion sa më të mirë.

“Ka këngë premtuese të kompozitorëve dhe angazhim maksimal nga ana jonë prandaj besojmë se edicioni i sivjetmë do të jetë pikë kthese, por ka edhe shumë punë që festivalit t’i kthehet nami që e ka” thotë Istref Krasniqi, drejtor i edicionit të 28 të festivalit Zambaku i Prizrenit.