Përkujtohen dëshmorët

Liderët e partive politike kanë përkujtuar sot dëshmorët Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha në 17 vjetorin e rënies. Ata kanë bërë nderime tek shtatorja e Zahir Pajazitit në sheshin me po të njëjtin emër në qendër të Prishtinës.

Lajme

31/01/2014 10:33

Është përkujtuar dëshmori i kombit Zahir Pajaziti 17 vjet pas rënies së tij.

Mëngjesi i sotshëm i ka sjellë kryeministrin Thaçi, kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, e liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin për nderime tek shtatorja e tij në sheshin e Prishtinës.

Kryeministri Thaçi është shprehur krenar për sakrificën e Pajazitit dhe dëshmorëve tjerë. Nderime pranë lapidarëve të dëshmorëve thotë se është marrje e energjive të reja për të vazhduar vizionet e shtetit.

“Sot u mbushën 17 vite të rënies heroike të komandantëve të parë të UÇK’së, të Zahirit, Edmondit, Hakifit, të bashkëluftëtarëve të mi dhe shumë bashkëluftëtarëve të UÇK’së. 17 vite të rënies së madhe për t’u ngritur të gjithë qytetarët e Kosovës në betejën për liri dhe pavarësi”.

“Sot, këta tre komandantë të UÇK’së, por edhe gjithë dëshmorët e lirisë nderon dhe kujton shteti i Kosovës, nderon dhe kujton kombi shqiptar. Kështu që sot të gjithë ndihemi krenar për sakrificën e tyre, por në të njëjtën kohë çdo nderim i yni pranë lapidarëve të tyre është edhe marrje e energjive të reja për punë edhe më të mirë, por në të njëjtën kohë edhe për të vazhduar implementimin e vizionit tonë për t’u integruar sa më shpejtë si shtet i pavarur dhe Sovran në NATO dhe Bashkim Europian”.

Në anën tjetër, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, thotë se historia e kombit tonë do të ishte e ‘thatë’ pa heronjtë, dëshmorët e martirët e vendit.

 

Kurti e krahason dëshmorin Pajaziti me Avni Rrustemin e Vojo Kushin. Kujton kohën kur shumica e popullsisë në Kosovë s’besonte në ekzistencën e UÇK’së.

“Historia e kombit shqiptar, është para se gjithash e mbi të gjitha histori e heronjve dëshmorëve dhe martirëve tonë. Po ja hoqe historisë, heronjtë, dëshmorët dhe martirët, atëherë pakçka mbetet aty”.

“Ne jemi aty sot këtu ku jemi duke ju falënderuar para se gjithash heronjve si Zahir Pajaziti të cilët kontribuan aq shumë për të dhënë gjithçka. Prandaj, sot kur ne në 17 vjetorin e rënies së tij, e kujtojmë Zahirin me shokë, sigurisht që, i përkujtojmë edhe heronjtë dhe dëshmorët  e martirët e tjerë të kombit, ku Zahir Pajaziti ishte shumë i veçantë sepse ai i përkiste plejadës së heronjve siç ishin Avni Rrustemi e Vojo Kushi”.

“Para 17 vjetëve, shumica e popullsisë në Kosovë, nuk besonin se ka Ushtri Çlirimtare të Kosovës dhe ishin jo të paktë ata që thonin, mbase, këto aksione janë të inskenuar nga vetë Serbia. Mirëpo, ishte ajo koha kur Zahir Pajaziti me patriotizmin në zemër, me drejtësinë në kokë, kryente aksione çlirimtare dhe i dha hovin e jashtëzakonshëm rezistencës tonë për ta shndërruar atë në kryengritje të armatosur, në luftë çlirimtare dhe në liri për popullin e vendin tonë”, tha Kurti.