Për Prizrenin, 200 milionë

Hashim Thaçi e bën Prizrenin përfituesin më të madh të intevstimeve të premtuara. Plot 200 milionë për “kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve”.

Lajme

19/10/2013 10:34

Prizreni tani mban “titullin e kampionit” në listën e premtimeve për investime të Kryetarit të PDK’së, Hashim Thaçi nëpër komunat e Kosovës.

Mbrëmë Thaçi i premtoi kësaj komune investime në vlerë prej 200 millionë euro nëse votuesit zgjedhin Ramadan Mujën që t’i drejtojë në katër vitet e ardhshme.

Sipas Thaçit, në këtë qytet duhet të investohet edhe më shumë, për të qenë “kryeqytet shpirtëror i shqiptarëve”.

Ai të premten në mbrëmje u takua me intelektualët e  të gjitha fushave në ambientet e kompleksit të Lidhjes së Prizrenit.

“Ky qytet e meriton të investohet edhe më shumë, për të vazhduar të qenit kryeqytet shpirtëror i shqiptarëve”,

Thaçi gjithashtu ka thënë se nëse duan të ndihën krenar qytetarët e kësaj komune, atëherë duhet ta votojnë Ramadan Mujën.

“Vota e juaj për Ramadan Mujën është votë për të ardhmen e Prizrenit, është votë për zhvillim ekonomik, është votë për një infrastrukturë dhe shëndetësi e mirëqenie për të gjithë qytetarët.

“Andaj nëse mendoni që të jeni krenarë pse jeni prizrenas, votoni për Prizrenin Europian, votoni për Ramadan Mujën dhe Partinë Demokratike të Kosovës”.

Kandidati I PDK`së për këtë komunë Ramadan Muja u premtoi teleferik qytetarëve të Prizrenit.

“Nga ky vend që është vend i shenjtë për gjithë shqiptarët, zotohemi se në mandatin e ardhshëm me votën tuaj dhe të qytetarëve do ta bëjmë edhe më atraktiv për vizitorë të shumtë. Me investimin për rregullimin e teleferikut prej Lidhjes së Prizrenit në Kalanë e lashtë ilire”, tha Muja.

“Vota juaj për PDK-në do të thotë ta vazhdojmë edhe për katër vite bashkëqeverisjen e Prizrenit me të gjithë qytetarët e vullnetit të mirë që duan ta ndihmojnë Prizrenin”.

Ndërsa Ministri I Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, Mujën e quajti si njeriun më të suksesshëm në të gjitha komunat e Kosovës.

“Andaj edhe në të ardhëm do të jetë i suksesshëm, sepse me punën e tij ka dëshmuar se ka lidhë kontratë me qytetarët e Prizrenit pa dallim feje e kombësie që të punojë për ta bërë Prizrenin Eropian, andaj keni arsye të plotë që të votoni për të më 3 nëntor”, tha Ministri Hoxhaj.

Një tubim elektoral Thaçi e Muja e kanë mbajtur edhe në Arbanë të Prizrenit. Në këtë tubim, Thaçi ka theksuar se të gjitha premtimet e kryetarit Muja do të përkrahen edhe nga Qeveria e Kosovës.

“Andaj, u ftoj që më 3 nëntor të gjithë të dilni në votime dhe të votoni për numrin 99 për Ramadan Mujën, sepse është mundësia e vetme e vazhdimit me hapa të shpejtë të realizimit të Prizrenit Europian”, tha ai.