Për politikën, fallin dhe hartat

Loja me ‘politika të mëdha’ e Qeverisë së Serbisë, është kërcënimi më i madh për stabilitetin e Ballkanin Perëndimor dhe për raportet e Kosovës dhe Serbisë.

Lajme

02/02/2017 11:50

Këqyrja në një ‘filxhan’ imagjinar të kafesë, apo, kërkimi i fatit në fall, duket se sot është element i përbashkët i thuaja të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimorë, që deri në qershorin e vitit të kaluar  (kur ndodhi Brexit-i i njohur në Britaninë e Madhe), e kishin të qartë se kah duhet t’ia mbajnë: Të gjitha këto gjashtë shtete synonin të bëheshin shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

Për më shumë, me apo pa vullnetin e tyre të mirëfilltë e të sinqertë, udhëheqësitë politike të Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, u detyroheshin politikave dhe kritereve të Brukselit të cilat në fakt, ishin ‘opozita’ më e fuqishme e dështimeve qeverisëse.

Pas Brexit-it dhe pas fitores së Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale në SHBA, duket që Raportet vjetore të progresit të Komisionit Evropian dhe të gjitha dokumentet dhe vlerësimet e Brukselit për gjendjen në akëcilin prej këtyre shteteve, janë zëvëndësuar me fallin dhe filxhanin e kafesë, në kërkim të pasojave për vete dhe për gjithë rajonin, të Administratës së re amerikane.

Mungesa e informatave themelore se çka mund të pritet nga Presidenca Trump, vazhdimësia e politikës agresive të Rusisë së Vlladimir Putinit, dhe paqartësia me drejtimin që do të marr BE-ja pas largimit të Britanisë së Madhe dhe pas zgjedhjeve në Francë dhe në Gjermani, ka bërë që këndejpari të këqyret shumë më tepër në ‘Qiellin’ e horoskopit dhe në variantat e ngjashme që nuk kanë të bëjnë gjë me politikën, se sa në realitetin e mirëfilltë. S’do mend që përvojat historike me këto anë të Evropës janë tepër të njohura dhe tepër tragjike, sa herë që Ballkani i është lënë në duar vetë shteteve të udhëheqësive të tyre, kur rëndom ka ardhë në shprehje fuqia ushtarake si përcaktuese e zhvillimeve në terren.

Evropa vet, tash e shatëdhjetë vjet,  (apo edhe më tepër), nuk ka qenë në gjendje t’i sjell në vete ballkanasit. Edhe një Evropë e bashkuar, më e fuqishme se kurrë, ajo e viteve 1990-1991, nuk arriti që pa Amerikën t’i del në fund tragjedive të njëpasnjëshme që përcollën zhbërjen e ish-Jugosllavisë. Për më shumë, në ato vite, Federata e Rusisë parimisht luante një rol konstruktiv. Tash, kemi një BE krejtësisht të hutuar, një Administratë të re amerikane që duket që do të ndryshojë shumëçka në politikat e jashtme të SHBA-së, dhe një Federatë të Rusisë që ta kujton atë Bashkimin Sovjetik, por pa mekanizmat të kontrollit të brendshëm të lidershipit, për të mos bërë hapa që do të shiheshin si provokime të rënda nga Washingtoni dhe Brukseli.

Nga ky pikëshikimi kosovar, nuk është vështirë të konkludohet që përkeqësimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, që veçmas njeh episodet me trenin e 14 janarit dhe me murin në Veri të Mitrovicës, që nga fillimi i dhjetorit të vitit të kaluar, është mbi të gjitha reflektim i bindjes së Beogradit zyrtar që tani mund të luajë ndryshe, (politikisht), si pasojë e një lëmshi evident ndërkombëtarë. Apo, që letrat dhe hartat e Ballkanit Perëndimorë mund të ndryshojnë në mënyrë thelbësore.

Ditëve të fundit, duket që ka një zbrapsje nga ana e Beogradit zyrtar në këtë aspekt, për shkak të shenjave të jetës  (politike dhe diplomatike), që dha Brukseli zyrtar, të cilit gjatë vitit 2017-të, më së paku i duhet një pështjellim i ri në këto anë të Evropës, për të cilat është i interesuar Putini. Megjithatë, për një ndryshim thelbësor të politikës së Serbisë në këtë aspekt, mund të priten telashe të reja në marrëdhëniet në mes të Prishtinës dhe Beogradit, por edhe më gjërë, në relacionet e Serbisë me të gjitha shtetet fqinje.

Loja me ‘politika të mëdha’ e Qeverisë së Serbisë, është pa kurfarë dyshimi kërcënimi më i madh për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanin Perëndimorë, në përgjithësi, dhe për raportet e Kosovës dhe Serbisë, në veçanti.

Është kohë për veprime të mëdha, largëvajtëse, në këto anë të Evropës, kur shtetet që kanë dalë pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, do ta pranojnë që nuk mund më të rrezikohet paqja dhe stabiliteti në këtë pjesë të Evropës, dhe kur duhet të pranohet si i pazëvëndësueshëm realiteti (që njeh harta dhe kufij të qartë), i krijuar në vitet e nëntëdhjeta.

Këtë mbi të gjitha duhet ta kuptojë Serbia e sotme.

*Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net