Për çka u dënua e për çka u shfajësua Zoran Vukotiq? /VIDEO

Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarë të EULEX-it ka shpallur sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës aktgjykimin kundër Zoran Vukotiqit në akuzat për krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare gjatë vitit 1999.

Lajme

25/05/2018 20:39

Para shpalljes së këtij aktgjykimi, kryetari i trupit gjykues Arnout Loiter njoftoi palët prezente se kjo ishte seanca e fundit që do të mbahej nga EULEX  në gjykatën e Mitrovicës.

Pas kësaj, në prezencën e prokurorit Paul Flynn, mbrojtësit të viktimave Burhan Maxhuni, palëve të dëmtuara, të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij avokatit Nebojsha Vlajic si dhe personave të tjerë në gjykatë u bë shpallja e aktgjykimin.

Disa minuta i mori kohë gjyqtarit Loiter leximi i aktakuzës. Në pikën e parë të saj në të cilën flitet për përgjegjësinë e Vukotiqit për krime lufte kundër popullatës civile në masakrën e Studimes së Epërme dhe të Poshtme, ai u lirua nga akuza.

Kurse u dënua për pikën e akuzës e cila e ngarkonte Zoran Vukotiqin me paraburgosje të paligjshme, rrahje dhe trajtim jonjerëzor të burgosurve në burgun e Smrekonicës.

Për veprën e lartëcekur, Vukotiq u dënua me 6 vite dhe gjashtë muaj burgim.

Në këtë dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 10 mars 2016, ndërsa masa e paraburgimit do t’i vazhdohet derisa ky aktgjykim të marrë formën e prerë.

Kurse te gjitha kërkesat pasurore juridike që janë parashtruar nga palët e dëmtuara do të refuzohen, ndërsa palët e dëmtuara mund të kërkojnë kompensim e tyre nëpërmjet padisë civile.

Disa nga arsyet të cilat çuan në marrjen e këtij vendimi, sipas trupit gjykues, ishin dëshmitë e disa dëshmitarëve.

Lidhur më pikën për të cilën u lirua nga akuza Zoran Vukotiq, trupi gjykues e arsyetoi me mospërputhjen e deklaratave të dëshmitarëve, me dëshmitë e njëri- tjetrit.

Duke iu referuar vrasjes se Adnan Bunjakut e cila ishte rrëfyer nga tre dëshmitarët Naser, Shukri dhe Musa Gerxhaliu trupi gjykues tha se kjo vrasje nuk ishte konfirmuar nga të tre dëshmitarët.

“Vrasja e Adnan Bunjakut është treguar nga dëshmitari Naser Gerxhaliu dhe Shukri Gerxhaliu, ndërsa vëllai i të dy dëshmitarëve Musa Gerxhaliu nuk i ka përmendur këto vrasje fare në sqarimin që është bërë se është e mundur që ky dëshmitar që ka qenë në këtë ngjarje dhe në këtë vend nuk e ka parë këtë ngjarje të krimit “, u tha në arsyetimin e gjykatës.

Arsyetimi i gjykatës për lirimin lidhur me masakrën në Studime kishte të bënte edhe me versionet e ndryshme që kishin treguar dëshmitarët, duke iu referuar vrasjes se 14 vjeçarit në kolonën e Studimes.

“Shaip, Naser dhe Musa Gerxhaliu e kanë përshkruar ngjarjen kur ishte vrarë djali 14 vjeçar, gjykata ka vërejtur se tre dëshmitarët kanë pasur versione të ndryshme të rrjedhës se ngjarjes, ku Naser Gerxhaliu kishte përmendur se të dy, Zoran Vukotiq dhe Vasa Kumpiroviq, të cilët kanë vrapuar pas djalit, ndërsa Musa Gerxhaliu thekson se një polic me emrin Kumpiroviq e ndiqte djalin i cili vrapoi te Zoran Vukotiq ku më pas Zoran Vuktoiq e ka marrë djalin dhe e ka vrarë. Kurse Shaip Gerxhaliu nuk e përmend as Kumpiroviqin por thotë se djali që ishte duke vrapuar nga policët tjerë e kanë vrarë. Poashtu mënyra se si është vrarë djali nuk vërtetohen nga deklaratat e tyre”, u tha në arsyetimin e gjykatës.

Sipas gjyqtarit Arnout Loiter të tri këto rrëfime të vrasjes se djalin dallojnë në atë mënyrë që një hulumtim i forenzikes në trupin e djalit do të ishte shumë i domosdoshëm, por pasi që viktima kurrë nuk është identifikuar, një gjë e tillë kishte qenë e pamundur.

Po ashtu, sipas arsyetimit të këtij aktgjykimi, dëshmitarët kishin dhënë deklarata të ndryshme sa i përket kryerësve, derisa Naser Gerxhaliu e ka identifikuar Zoran Vukotiqin dhe Vasa Kumpiroviqin si kryerës, Shaip dhe Musa Gerxhaliu e kishte identifikuar vetëm Zoran Vukotiqin si kryerësin e vrasjeve.

Foto: Kallxo.com

“Vëllai i dëshmitarit Shukri Gerxhaliu nuk ka përmendur se ka parë vrasje fare dhe nuk ka dhënë asnjë sqarim se si këta dëshmitarë të cilët kanë qenë në të njëjtin vend dhe nuk i kanë parë këto vrasje, për këtë gjykata nuk mund ta vërtetojë se si dhe nga kush është vrarë ky 14 vjeçar”, vazhdoi tutje arsyetimin gjyqtari Loiter.

Kurse dëshmia e dëshmitarit Idriz Popova lidhur me vrasjen e Bajram Gerxhaliut ishte cilësuar si e pabesueshme, për arsye se edhe kjo dëshmi, sipas gjykatësit, kishte mospërputhje me deklaratat e mëhershme të vetë dëshmitarit sa i përket identifikimit të Zoran Vukotiqit.

Gjithnjë sipas arsyetimit të thënë sot në këtë gjykatë, ajo çka ishte arritur të vërtetohej ishin akuzat lidhur me burgun e Smrekonicës.

“Vukotiq është gjetur fajtor sepse mes datave 2 maj deri në fillim të qershorit 1999, në cilësinë e rezervistit të policisë serbe duke vepruar si gardian burgu në Qendrën e Paraburgimit në Smrekonicë, në mënyrë të qëllimshme dhe në bashkëveprim, derisa një numër i madh i shqiptarëve janë mbajtur të mbyllur, ata kanë qenë të ekspozuar ndaj trajtimit johuman përmes rrahjeve duke bërë shkelje të integritetit të shëndetit dhe shkaktimin e lëndimeve trupore”, u tha në arsyetim.

Zoran Vukotiq më 16 maj të këtij viti, u shpall i pafajshëm nga e njëjta gjykatë për rastin e vrasjes së katër civilëve shqiptarë në Vushtrri në vitin 1999.

Ai ishte ekstraduar nga Mali i Zi në Kosovë në nëntor të vitit 2016.