Pëllumbi: Vizita e fshehtë e Fatos Nanos në SHBA

Profesori i socialistëve Servet Pëllumbi përmes ditarit të tij politik “Përvoja ime në Partinë Socialiste” tregon sekuenca nga zhvillimet në parti, në këtë pasazh ai ndalet tek një vizitë e Fatos Nanos në SHBA dhe shpenzimet e tij të tepruara.

Lajme

27/06/2016 21:09

Si për ta mbyllur vitin që po lëmë pas me “hidhërimin” karakteristik që shoqëron ngjarjet, sidomos ato politike në një kohë tranzicioni, po shpreh disa objeksione rreth fakteve që kanë të bëjnë me shokët me të cilët punoj, që takohem gati çdo ditë, përshëndetemi, i buzëqeshim njëri tjetrit, i rrahim krahët, i themi më pëlqeu shumë diskutimi, artikulli, veprimi, thënia jote në “x” e “y” rast, më pas në takimin me një tjetër ndodh që po ai të thotë: “Na lodhi ky profesori me akademizmin e tij, nuk shkohet në Europë me të, ma kanë thënë troç plot të huaj: “E sa kohë do ta mbani në krye atë marksistin ortodoks”.

Dikush më etiketon padrejtësisht “si zëvendësi i Fatosit që i mbulon gjynahet” etj..etj. Pra, kemi defekte në lidhjet shpirtërore, në sinqeritetin dhe besimin reciprok që janë shumë të rëndësishme për një parti serioze dhe me ambicie të mëdha për të qeverisur vendin.

Ndërkohë, këto mund të quhen të vogla, shfaqje papjekurie e disa të rinjve… pra diçka kalimtare! Por ka dhe “thashetheme” të një natyre tjetër që cënojnë rëndë kohezionin tonë të brendshëm. Maqo Lakrori, i afruar çuditërisht me I. Lleshin (I dorëhequr nga drejtimi i PS-së), po përpiqet “me iniciativë” por pa thënë asgjë në Kryesi, të formojë një grup me intelektualë për të përpunuar një alternativë ekonomike të PS-së. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, por i ka thënë Gramozit se do të shkojë në bazë për ta mbrojtur ! Më tej i ka thënë po Gramozit, se do të shtrojë në kryesi çështjen e vajtjes së fshehtë të Fatosit në SHBA në fillim të dhjetorit 1991, sepse atje “Nano na shiti”. Gramozi i kujdesshëm e parimor si gjithmonë, më informon se e kishte biseduar gjatë me Maqon këtë çështje. Shkëmbyen mendime për hapat e mëtejshme. Ndër të tjera i them.

-Nëse ai do ta kërkojë zbardhjen e “aferës Nano” është e drejta e tij nuk kam asgjë kundër, por të zënë anëtarët e Kryesisë një nga një për të përgatitur terrenin, siç po bën ai, kjo është e gabuar, fraksioniste…Veçse në një linjë të ngjashme janë edhe disa nga intervistat e P. Majkos që është bërë i preferuar i organeve të shtypit të orientuara kundër nesh. E çfarë nuk thuhet në to për F. Kumbaron, e B. Zenelin, të dy anëtarë të Kryesisë. Vetë Fatosi ka “lidhje tavolinash” me ta, kurse ata, me sa duket, një lloj “Pushteti” mbi të! Po a ka kuptim të hapim tani çështje të tilla? Kjo meriton “shoshitje” të kujdesshme…

Në këtë fundviti më befasoi edhe E. Kolaneci, shoku im i gjimnazit dhe ambasador në Vjenë. Engjëllin e kishte takuar një mik i Shqipërisë e biznesmen i fuqishëm austriak që kishte pritur e trajtuar si miq te Fatosit dhe Bashkimin në hotelin e tij tepër luksoz, pa paguar asgjë për fjetje, ngrënie, pije. Por ata, i kishte thënë ai, kanë abuzuar në mënyrën më të paturpshme duke marrë me firmë bizhuteri me një vlerë 13 mijë shilinga ! Nuk iu besoja veshëve. I them Engjëllit:

-A ka ndonjë mundësi që të jetë ngatërruar miku nga Austria?

-Në asnjë mënyrë, – m’u përgjigj ai. Kishte faturat dhe m’i tregoi. “Ja dhe një proçkë tjetër e Fatosit”,  mendova me vete. Engjëlli më tha:

-Ai nuk kërkon kthimin e parave të vjedhura, por që shokët e tyre në parti të dinë të vërtetën për drejtuesit që kanë.

Kurse vetë ai, sipas ambasadorit, ishte shprehur ashpër e prerë:

-Nuk dua t’ua shoh kurrë më sytë.

U ndamë me Engjëllin duke i uruar njëri tjetrit Vitin e Ri, por dhe me premtimin që unë i dhashë për t’ia thënë këtë shqetësim në takimin më të parë Fatos Nanos. Sa përcolla Engjëllin, shkova te Fatosi në zyrë. Më dëgjoi pa interes. Dukej që ishte në dijeni. Më pas duke ia faturuar Bashkimit, tha si nëpër dhëmbë:

-Do të ketë marrë ndonjë gjë Bashkimi, por ai ia ka futuruar shumë, 13 mijë shilinga!

U habita nga një logjikë e tillë! Megjithatë, sa u largova unë nga zyra e tij ai e thirri “bashkëvuajtësin” sepse isha ende në korridor dhe e pashë Bashkimin që disi i alarmuar shkoi te Fatosi. “ja dhe një “peshqesh” jo i zakonshëm për Vitin e Ri”, mendova. Njëherësh, u betova para vetes dhe po e “shenjtëroj” në ditar: sa të jem në këtë Parti, gjëra të tilla nuk kam për t’ia falur askujt! Gjithsesi, pa harruar se ushqimi i shpresës është një shpresë tjetër!