PDSH dhe BDI kërkojnë anulim të plotë të faljes

Dy partitë parlamentare shqiptare në Maqedoni, BDI dhe PDSH, kanë reaguar ndaj vendimit të presidentit Gjorge Ivanov për anulimin e faljes vetëm të funksionarëve politik.

Lajme

28/05/2016 14:57

Për BDI-në vendimi i Ivanovit përbën hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes së krizës, megjithatë partia e Ahmetit këmbëngul se anulimi i faljes duhet të vlejë për të gjithë dhe jo vetëm 22 persona.

“Tërheqja e plotë e vendimit për falje nuk ka alternativë. Këtë qëndrim e kemi që nga momenti kur është miratuar ai. Mundësia ligjore që u krijua me ndryshimin e ligjit për falje e bëri të pa rezistueshëm presionin për të shfuqizuar atë, dhe vendimi i djeshëm është një hap i rëndësishëm para por tërheqja do kompletuar tërësisht”, deklaruan nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Edhe PDSH mbron qëndrimin se vetëm anulimi i plotë i faljeve, është shpresë për tejkalim të ngërçit dhe rifillim të dialogut politik.

“Vetëm tërheqja e tërësishme e faljes e ndjekur më pas edhe nga tërheqja e vendimeve të tjera të njëanshme të ndërmarra nga partnerët e koalicionit në Qeveri, do të ishte zgjidhje momentale që sadopak do të sillte procesin në një pikë prej ku mund të rikthehet dialogu me ndërmjetësim ndërkombëtarë”, thanë nga Partia Demokratike Shqiptare, raporton Alsat M.

Ndërsa komuniteti ndërkombëtar, zëshëm dhe në mënyrë të shpejtë ka reaguar ndaj vendimit të presidentit Ivanov, duke e quajtur shfuqizimin e pjesshëm, të pamjaftueshëm dhe në kundërshtim me synimet euroatlantike të Maqedonisë. Faktori ndërkombëtar konsideron se tërheqja e pjesshme ose selektive e faljeve të Ivanov-it, do të vazhdoj ta rrisë ndjenjën e pandëshkueshmërisë në vend.
“Vendimi i presidentit Ivanov që të anulojë faljen vetëm për një numër të caktuar të njerëzve, nuk është i mjaftueshëm. Siç u tha në mënyrë të përsëritur nga ‪BE‬, zgjidhja gjithëpërfshirëse është çelësi për të shmangur drejtësinë selektive”, ka shkruar Johanes Han, Komisioner për zgjerim dhe fqinjësi.

“Ashtu sikurse thamë javën e kaluar, tërheqja e pjesshme ose selektive e faljeve do të rrisë ndjenjën e pandëshkueshmërisë në këtë shtet dhe do të ndalojë Maqedoninë nga progresi në qëllimet e saj të rëndësishme, përfshirë këtu përparimin drejt NATO-s dhe BE-së. Këtë çështje Maqedonia duhet ta pastrojë në mënyrë gjithëpërfshirëse”, thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane.

Ndryshe, reagimet kanë ardhur pasi presidenti Gjorge Ivanov shfuqizoi pjesërisht faljet që i bëri kohë më parë ndaj 56 personave, mes të cilëve pati funksionarë të inkriminuar nëpër procese të Prokurorisë Speciale Publike. Në mesin e tyre ishin tre lider të partive me të mëdha në vend dhe ish ministra e funksionarë, kryesisht nga partia në pushtet VMRO-DPMNE./ lajmi.net.