PDK: Nënëlokja Bajrami e gëzuar që biri i Drenicës u bë President

Zyra për Informim e Partisë Demokratike të Kosovës, ka njoftuar nëpërmjet një komunikate për një vizitë të kryetares së Forumit të Gruas së PDK-së, Justina Shiroka-Pula, te Rabije Behrami, së cilës i është vrarë djali i vetëm gjatë luftës.

Lajme

28/02/2016 19:56

Rabije Behrami, e lindur në vitin 1926, pas kushtrimit të lirisë së dhënë nga pjesëtarët e UÇK-së në betejën e lavdishme të Likoshanit, 18 vite pas, vazhdon ta kujtoj me mall djalin e vetëm të vrarë si dhe dy mbesat, transmeton lajmi.net

“Edhe në këtë moshë, ajo rrëfen me dhimbje për të gjithë dëshmorët dhe martirët e kësaj ane. Ajo i ishte gëzuar lajmit që biri i Drenicës tashmë ishte bërë President i vendit. ‘Jam e lumtur që e prita këtë ditë përkundër dhimbjes për djalin se nuk kisha tjetër dhe mbesat’, tha nënëlokja Rabije”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Sipas njoftimit, nënëlokja flet me pietet edhe për deputeten Ganimete Musliu, e cila rregullisht e viziton atë si dhe shumë familje tjera, që kanë dhënë shumë për lirinë e vendit. “Ganimetja më është bërë si e shtëpisë, pasi nuk më harron asnjëherë e tash po e shoh edhe në televizor dhe po na zbardhë fytyrën”, përfundon 90-vjeçarja Rabije Behrami.

Delegacioni i Gruas Demokratike të Kosovës, i udhëhequr nga kryetarja Shiroka-Pula dhe anëtaret e kryesisë Sala Shala-Berisha, Ganimete Musliu e Blerta Deliu, gjatë shënimit të 18-vjetorit të betejës së Likoshanit bënë nderime në kompleksin memorial të dëshmorëve e martirëve në Likoshan dhe morën pjesë në akademinë kushtuar kësaj ngjarjeje të organizuar në Shtëpinë e Kulturës në Drenas. Më pas, delegacioni ka vizituar edhe familjen Ahmeti në fshatin Likoshan, familje kjo të cilës iu vranë 10 anëtarë. /lajmi.net