PDK-LDK duhet të koordinohen për rritjen e pagave

Ministri i Drejtësisë, njëherësh nënkryetar i PDK-së, Hajredin Kuçi tha se Qeveria mund të rrisë pagat për shërbyesit civil për 25 për qind, ashtu siç kishte premtuar shefi i partisë së tij, Hashim Thaçi, derisa ishte në postin e kryeministrit të vendit.

Lajme

24/12/2014 18:11

Në intervistën dhënë Gazetës Express, Kuçi tha se Thaçi nuk i ka mashtruar qytetarët kur ka premtuar rritjen e pagave, por sipas tij, Qeveria e re, e krijuar nga koalicioni PDK-LDK, duhet të koordinohen që kjo rritje të ndodhë.

“Absolutisht nuk është mashtrim. Nëse e shikoni fushatën elektorale, disa kanë thënë 200 për qind, disa 43 për qind. E dini që Kryeministri Thaçi çdo premtim që e ka dhënë, edhe në 2014, njerëzit kanë menduar se është mashtrim por s’ka ndodh. Çdo premtim që e ka dhënë e ka realizuar. Realizimi, e para, kërkon bazë ligjore. E dyta, kërkon edhe mundësi buxhetore. Unë besoj se në koordinim me Kryeministrin Mustafa do ta bëjmë zgjidhjen e duhur”.

“Mendoj se partnerët e koalicionit do ta bëjnë zgjidhjen më të mirë edhe për buxhet, edhe për kërkesat e sindikatave”.

“Është çështje që do të koordinohen. Unë nuk them se do të ketë apo nuk do të ketë, janë njerëzit përgjegjës, por do të ketë koordinim të PDK-së me LDK-në dhe partnerët tjerë të koalicionit”.

Kuçi iu përgjigj edhe zërave që thonë se qeveria e re e Kosovës ka dy kryeministra, duke thënë se ata respektojnë Mustafën, por nuk kontestojnë as autoritetin e zëvendëskryeministrit Thaçi.

“Në vijën politike dhe institucionale do ta respektojmë z. Mustafa për kryeministër dhe këtu s’ka asnjë dilemë. Por, autoriteti i Thaçit si kryeministër i mëparshëm, dhe tash zëvendëskryeministër, është i pakontestueshëm. Nuk harrojmë që PDK-ja është partia më e madhe politike në vend, nuk harrojmë që z. Thaçi është njeriu më i votuar në vend dhe ai ka bërë një lëshim, do të thosha një kompromis, që është normale në demokraci, dhe presim që vitin tjetër të jetë president i vendit”, ka thënë Kuçi për Express.