PDK kërkon konsensus për demarkacionin, vlerëson angazhimin e partive politike

Partia Demokratike e Kosovës ka vlerësuar lartë angazhimin e partive politike për ta gjetur një zgjidhje për demarkacionin.

Lajme

22/02/2018 22:34

Në një komunikatë për media, PDK thotë se edhe ditën e nesërme do të angazhohet që ta arrihet ky konsensus.

Komunikata e plotë e PDK-së:

Partia Demokratike e Kosovës vlerëson lart angazhimin e partive politike parlamentare për arritjen e konsensusit nacional për ratifikimin e Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Arritja e konsensusit, për të cilin sot kishte përpjekje, është e domosdoshme dhe duhet të ndodhë.

PDK shpreh bindjen e plotë se subjektet politike janë shumë afër arritjes së unitetit ndërpartiak që Marrëveshja për Shënimin e Kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi të ratifikohet sa më shpejt.

PDK do të angazhohet edhe nesër që të arrihet ky konsensus.

PDK falënderon përfaqësuesit e subjekteve të tjera politike parlamentare për dialogun konstruktiv lidhur me gjetjen e zgjidhjes për çështjen kryesore në raport me liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët tonë.