PDK-ja nuk i përgjigjet ftesës së LDK-së për tryezë, qëndrimin e bën të ditur nesër

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të organizojë nesër në Kuvendin e Kosovës një tryezë të përbashkët me partitë politike, ku si pikë diskutimi do të jenë temat me rëndësi nacionale si dhe përgatitjet e nevojshme për organizmin e zgjedhjeve të parakohshme në vend.

Lajme

24/04/2018 16:25

Përderisa shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë sot përmes një postimi në Facebook se shumica e partive politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë tryezë, nga disa parti tjera ende nuk është bërë e ditur një gjë e tillë, shkruan lajmi.net.

Nga koalicioni qeverisës, AAK-ja, AKR-ja dhe NISMA kanë konfirmuar se do ta përkrahin çfarëdo lloj iniciative për arritjen e një uniteti politik kur bëhet fjalë për temat e mëdha për Kosovën. E më herët, edhe nga zyrtarë të Vetëvendosjes është thënë që ata mirëpresin iniciativa të tilla, ani pse në një konferencë për media gjatë ditës së djeshme nuk është bërë e ditur nëse kjo parti do të marrë pjesë në këtë tryezë apo jo.

Qëndrimin e vet deri më tani nuk e ka deklaruar partneri kryesor i koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, për lajmi.net ka lënë të kuptohet se qëndrimi i kësaj partie do të bëhet i ditur gjatë ditës së nesërme, kur edhe pritet të mbahet kjo tryezë.

“Nesër e bëjmë publik qëndrimin tonë”, ka deklaruar shkurt Krasniqi për lajmi.net.

E gjatë ditës së djeshme, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, njëherit edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës,  propozoi platformën e tij për një unitet politike lidhur me temat e mëdha për vendin, platformë kjo që nga Lidhja Demokratike e Kosovës, po shihet si një frazë boshe dhe arsye për të qëndruar në pushtet.

Ndryshe, pjesëmarrjen në tryezën e LDK-së, nuk e ka  konfirmuar ende as Grupi i Deputetëve të Pavarur./Lajmi.net/