PD kërcënon me djegie të mandateve dhe “përvëlim” të vendit

Kur koha e afateve për të përmbyllur reformën me konsensus po mbaron, opozita ka radikalizuar tonet, duke paralajmëruar veprime të ashpra në Parlament, dhe jashtë tij, në rast të miratimit të draftit të depozituar në Kuvend nga shumica, ku kërkohet ndryshimi i Kushtetutës.

Lajme

19/06/2016 08:53

Deklarata e kreut të PD-së, Lulzim Basha, ku kërcënon me djegie mandatesh dhe përshkallëzim të krizës së vendit ka ardhur një ditë pasi shumica shfrytëzoi mekanizmat kushtetuese dhe futi në procedurë parlamentare diskutimin e paketës kushtetuese.

Kërcënimi

Kryedemokrati, Lulzim Basha, në reagimin e tij ashpërsoi gjuhën, duke kopjuar ish-kryetarin e PD-së, Sali Berisha. Përpjekjet për kaluar draftin me votat e opozitës, do të sillnin, sipas tij përvëlim të Kuvendit. “Çdo tentativë për të trafikuar qoftë dhe një mandat të vetëm opozitar me paratë e pista të drogës dhe krimit qeveritar do të rezultojë në djegien e mandateve opozitare si hapi i parë drejt përvëlimit të parlamentit ilegjitim që do të jetë edhe përgjigjja e merituar e popullit ndaj një qeverie që i hap atij luftë, me çdo mjet që siguron fuqia e padiskutueshme e sovranit”, theksoi Basha.

Ndërkohë thotë se rruga e vetme për një reformë në drejtësi që ndëshkon krimin dhe korrupsionin është zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Ndërsa konsideron që qeveria i ka hapur luftë popullit, deklarata e Bashës lë të kuptohet qartë ashpërsinë me të cilën opozita do t’i drejtohet qytetarëve për t’u ballafaquar me qeverinë.

Burime pranë PD thanë se kjo lëvizje e shumicës edhe pse e papranueshme, nuk ishte e papritur për ta, prandaj opozita në terren, ka nisur përgatitjet për t’iu përgjigjur me protestë këtij veprimi të njëanshëm, që sipas tyre minon çdo mundësi konsensusit. Kjo sepse, siç e thotë edhe kryedemokrati Lulzim Basha, në reagimin e tij në faqen zyrtare në Fb, rruga e vetme për një reformë në drejtësi që ndëshkon dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin është zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias.

Burimet konfirmojnë gjithashtu se PDja nuk ka në plan ta dërgojë këtë nen në Bruksel siç sugjeroi LSI, pasi lidershipi demokrat prej disa ditësh e ka zhvendosur Brukselin në selinë e tij në takime intensive me diplomatë të vendeve të BE-së. Çfarë përmban drafti i dërguar në Kuvend? Kërkesa e 33 deputetëve të shumicës për miratimin e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, pritet të miratohet të enjten në Konferencën e Kryetarëve, e cila do ta përfshijë në kalendarin 2 javor të punimeve parlamentare.

Drafti që është dërguar në Kuvend u miratua vetëm me votën e mazhorancës të martën në Komisionin për reformën në drejtësi. Kjo do të thotë se drafti mbështetet zyrtarisht nga 87 deputetët që kanë së bashku të tre grupet parlamentare qeverisëse nga 94 vota që duhen gjithsej. Por derisa të shkojë për votim do të duhen të paktën edhe dy javë. Procedura parlamentare përcakton lajmërimin e Kuvendit në seancën më të parë plenare.

Projektligji me ndryshimet kushtetuese u shpërndahet deputetëve dhe ai futet menjëherë në programin e punës. Megjithatë, diskutimi i tij në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit fillon vetëm dy javë pas depozitimit në Kuvend. Që do të thotë se drafti me reformën në drejtësi do të shqyrtohet dhe do të shkojë për votim në Kuvend në fillim të korrikut. Ndërkohë, të hënën Komisioni i reformës në drejtësi do të nisë shqyrtimin e 7 ligjeve që do të miratohen bashkë me ndryshimet kushtetuese. Ato quhen “paketë e emergjencës”, sepse janë jetike për nisjen e zbatimit të reformës në drejtësi dhe ngritjes së disa strukturave. Disa prej këtyre ligjeve janë ai për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ligji për organizimin e gjyqësorit dhe prokurorisë, si dhe ligji që përcakton funksionin e prokurorisë së posaçme dhe njësisë së hetimit të zyrtarëve të lartë.

Prej muajsh pati përpjekje për të arritur një marrëveshje mes mazhorancës me Partinë Demokratike për miratimin e kësaj reforme me konsensus. Por pas shumë përpjekjesh palët mundën të bien dakord pothuajse për të gjitha pikat, përveç kërkesës së vendeve të rezervuara që PD kërkonte në institucionet që krijoheshin nga kjo reformë. Por mazhoranca, e mbështetur publikisht nga SHBA dhe BE, e quajti këtë një vijë të kuqe dhe nuk pranoi që partitë të kenë vende të rezervuara veçanërisht në procesin e vetingut.

7 ligjet e reformës në drejtësi

  1. Projektligji për Gjykatën Kushtetuese.
  2. Projektligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
  3. Projektligji për organizimin e gjyqësorit.
  4. Projektligji për organizimin e Prokurorisë.

5 Projektligji për mirëqeverisjen e organeve të drejtësisë.

  1. Projektligji për SPAK dhe Byroja.

7- Projektligji për statusin e gjyqtarëve.