Paskal Ru: Nuk investojmë në Brezovicë për politikë, por për zhvillim

Presidenti i konzorciumit francez "MDP consalting", Paskal Ru ka theksuar se nuk ka qenë qëllimi i tij të merret me politikë, por që nga Brezovica të krijojë një qendër moderne të skijimit.

Lajme

19/04/2015 14:37

Përpjekja e privatizimit të qendrës së skijimit në Brezovicë ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, për shkak të rrezikut të prishjes së objekteve ekzistuese, uzurpimit jolegal të tokës dhe ndryshimit të strukturës etnike të të punësuarve, shkruan e përditshmja serbe “Novosti”.

Paskal Ru, president i konzorciumit francez “MDP konsalting”, i cili me autoritetet në Prishtinë në bazë të parimit të partneritetit publiko-privat arriti marrëveshje për koncension prej 99 vjetësh, ka thënë për “Novosti” se nuk ka qenë qëllimi i tij të merret me politikë, por që nga Brezovica të krijojë një qendër moderne të skijimit.

“Qeveria në Prishtinë ka shpallur tender dhe është e natyrshme që kemi biseduar me të. Është e vërtetë se ndodhemi në një territor me një histori intensive. Por, projekti ynë është multietnik dhe do të duhej t’i kontribuonte pajtimit. Qëllimi ynë është që nga ky projekt të përfitojë e gjithë popullsia e kësaj ane. Të gjithë duhet ta gjejnë veten në këtë projekt”, ka thënë Ru për gazetën serbe, transmeton rtklive.

Presidenti i konzorciumit thekson se krahas qendrës së skive, paralelisht në nivel lokal do të duhej të zhvillohen edhe bujqësia, ndërtimtaria, ofrimi i shërbimeve etj. “Do të krijojmë kushte që i gjithë ky rajon të jetë atraktiv”, ka shtuar Ru.

Ai e pranon se nuk ka pritur një vëmendje kaq të madhe të mediave kur ka hyrë në këtë projekt. “Mendoj se ende nuk ekziston një mirëkuptim i qëllimeve tona. Kam dëgjuar se flitet për atë se ne do t’i largojmë njerëzit dhe do t’i privatizojmë këto alpe. Nuk ka asgjë të vërtetë këtu. Synimi ynë është zhvillimi i resurseve. Dëshirojmë të krijojmë një qendër skijimi me standarde botërore. Ky është një rast i mirë për të gjithë komunitetin”, ka përfunduar Ru.

Demantimi

Edhe në Francë është çuar shumë pluhur rreth blerjes së qendrës së skive në Brezovicë. “Kompani dez Alp”, të cilën burimet kosovare e kanë cituar si njërën prej pjesëmarrësve në konzorciumin për investime në Brezovicë, e ka mohuar kategorisht këtë lajm, kurse pjesëmarrjen e tyre e ka konfirmuar vetëm në nivelin e “shërbimeve të konsulencës”. “Nuk jemi të angazhuar në konzorcium, por vetëm kemi dhënë vlerësimin tonë profesional të këtij projekti”, kanë thënë ai. Ky vlerësim sipas tyre ka qenë i lidhur vetëm për mundësitë teknike të shfrytëzimit të shtigjeve të skive.

Punëtorët serbë mendojnë se pas konzorciumit francez fshihet Behgjet Pacolli

Të gjithë pronën serbe duan ta shkatërrojnë, para se gjithash hotelin “Molika”, ski-liftin, kabllot, gjë e cila është në plan në tri vitet e ardhshme, prandaj në këtë periudhë nuk mund të kemi mysafirë. Ajo që nxitë ankth të madh është kredibiliteti i këtij konzorciumi, pas të cilit siç kemi kuptuar qëndron pikërisht pronari i vërtetë – biznesmeni i pasur kosovarë, Behgjet Pacolli. Këto janë fjalët e punëtorëve të dëshpëruar të qendrës së skive “Brezovica”, të cilët flasin për kontratën e qeverisë së Kosovës me konzorciumin francez rreth investimeve në këtë kompleks në alpet e Sharrit.

Ata para se gjithash janë të pakënaqur me faktin që kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e vetos në nënshkrimin e marrëveshjes. Ata thonë se kanë pritur një ndihmë më të madhe dhe mbrojtje edhe nga Serbia. “Dyshojmë se krerët tanë shtetërorë kanë informatat e duhura se çfarë po ndodh këtu. Ngase, nëse vërtetë e blejnë pronën tonë për 99 vjet, atëherë është në dyshim të madh nëse do të mund ta kthejmë ndonjëherë atë që është e jona”, nuk e fshehin zhgënjimin punëtorët, të cilët frikësohen se në rast se mbesin pa punë, atëherë edhe familjet e tyre do të jenë të detyruara të shpërngulen nga kjo zonë, në të cilën jetojnë rreth 12,000 serbë.