Pas rënies së qeverisë kroate, dorëhiqet shefi i partisë në pushtet

Tomislav Karamarko, i dyshuar në një aferë politiko-financiare, njoftoi sot dorëheqjen e tij nga presidenca e HDZ-së, partia e djathtë nacionaliste (HDZ) që ishte në pushtet deri në rënien e qeverisë javën e kaluar.

Lajme

21/06/2016 19:15

 

Asnjë mazhorancë nuk u arrit të krijohet pas rënies së qeverisë, ndërsa Parlamenti kroat vendosi të hënën të shpërbëhet duke i hapur rrugën zgjedhjeve të reja që do të mbahen para mesit të shtatorit.

“I premtova partisë se do të formoja një mazhorancë të re dhe dështova”, deklaroi para gazetarëve Tomislav Karamarko, i cili dha sot dorëheqjen nga posti i zëvendëskryeministrit, pas rënies së qeverisë së koalicionit të djathtë pas vetëm pesë muaj në detyrë.

Sipas medias kroate, ai vendosi të largohet nga posti i tij në krye të HDZ-së për të rritur shanset e partisë së tij në votime.

Tomislav Karamarko akuzohet për konflikt interesi, pasi bashkëshortja e tij ishte këshilltare për një grup lobimi që punonte për një kompani nafte hungareze që ishte në gjyq me shtetin kroat.