Partia e Erdoganit – fituese e fuqishme në zgjedhjet lokale

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), e kryeministrit Recep Tayyip Erdogan, që e udhëheq qeverinë në Turqi që prej vitit 2002, ka dalë fituese e fuqishme në zgjedhjet lokale turke.

Bota

31/03/2014 11:37

Televizioni i Turqisë njofton se pasi janë numëruar 98% të votave, AKP-ja ka më tepër se 45%, ndërsa e dyta është partia opozitare CHP, me 28% të votave.

Rrjeti televiziv CNN Turk ka raportuar se AKP-ja e kryeministrit Erdogan, ka fituar në Stamboll dhe duket se ka arritur fitore me diferencë të vogël në kryeqytetin Ankara, megjithëse rezultatet ende nuk janë finalizuar.

Votimet e së dielës janë konsideruar gjerësisht si referendum ndaj kryeministrit, Recep Tayyip Erdogan, meqë partia AKP ishte në krye të qeverisë prej vitit  2002.

Duke folur para mbështetësve, Erdogan tha se do t’i ndjek kritikët, që e kishin akuzuar atë për korrupsion.