Paralajmërohet okupimi i ndërtesave qeveritare në Hong Kong

Mijëra kinezë i janë bashkuar të mërkurën protestës së studentëve “pro demokracisë”, në Hong Kong, në ditën e Ditën Kombëtare të Kinës. 

Bota

01/10/2014 16:27

Protestuesit, të cilët filluan të protestojnë të shtunën, nuk largohen nga qendra e qytetit, duke qëndruar aty edhe gjatë orëve të natës.

Ata kërkojnë që qeveria kineze në Pekin të tërheq planin për zgjedhjet e vitit 2017 në Hong Kong, sipas parimeve komuniste, dhe që të lërë qytetarët që më votën e lirë të tyre të zgjedhin kryetarin dhe këshillin e qytetit.   

Po ashtu ata i kanë dhënë ultimatum udhëheqësit aktual të qytetit të tyre, CY Leung, që të jep dorëheqje deri të enjten, në të kundërtën do të vazhdojnë të mbajnë të bllokuar Hong Kongun, që njihet si një nga qendrat më të rëndësishme financiare botërore.

CY Leung, i cili doli tu flasë masës në Dinën Kombëtare të Kinës me kërkesën që protestuesit të mbështesin reformat zgjedhore të propozuara nga Pekini,  u ndërpre nga masa duke i kërkuar që të mos vonohet të jep dorëheqjen.  

Madje një nga organizatorët e protestës, sipas BBC-së, ka thënë se demonstruesit do të “okupojnë” ndërtesat e qeverisë në qytet, nëse udhëheqësi i Hong Kongut nuk jep dorëheqje deri të enjten.

Lester Shum, i Federatës së Studentëve të Hong Kongut, u tha gazetarëve se me këtë qëndrim të CY Leung, i cili të dielën e kaluar kishte urdhëruar policinë të shpërndajë demonstruesit me shkopinj e lotsjellës, nuk ka asnjë vend për dialog.

 Shum tha se udhëheqësit e studentëve do të mirëprisnin mundësinë për të folur me ndonjë zyrtar kinez të qeverisë qendrore, por jo me Leung.

Sipas parimit “një vend, dy sisteme”, Hong Kong, i administruar për 100 vjet nga Britania e Madhe, ka një sistem ekonomik dhe politik të ndryshëm nga ai i Republikës Popullore të Kinës.

Ky qytet ka një ekonomi të fuqishme kapitaliste të shërbimit, e karakterizuar nga taksat e ulëta, tregtia e lirë dhe ndërhyrja minimale e qeverisë në ekonomi.