Para debatit të 3 gushtit, Vetëvendosje planifikon aksione kundër Demarkacionit (Video)

Lëvizja Vetëvendosje ka përmbyllur sot procesin e tretë zgjedhor brenda strukturave të saj. Në fjalimin e tij, kreu i VV-së, Visar Ymeri, ka bërë të ditur se do të vazhdojnë të ndërmarrin aksione kundër Demarkacionit.

Lajme

24/07/2016 21:10

Para dy ditësh Vetëvendosje sulmoi ministrin e Brendshëm, Skënder Hyseni, duke kundërshtuar kështu depërtimet e anëtarëve të saj nga Shqipëria, shkruan lajmi.net

Vetura e Hysenit u sulmua me ngjyrë dhe Policia e Kosovës e konsideroi këtë aksion si të “rrezikshëm për jetën e ministrit”. E si duket VV-ja nuk do të ndalojë me kaq.

Këtë radhë jo për depërtimet, por për Demarkacionin. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i VV-së, Visar Ymeri në kuvendin e tretë zgjedhor të strukturave të partisë së tij.

Ai u ka bërë thirrje aktivistëve që të kenë prioritet organizimin e aksioneve dhe protestave që do të ndërmarrë Vetëvendosje kundër Demarkacionit.

Kjo thirrje e Ymerit vjen vetëm pak ditë para debatit që do të mbahet më 3 gusht për Demarkacionin ku do të marrin pjesë deputetë, ekspertë dhe përfaqësues të Komisionit shtetëror, nga shoqëria civile e mediat.

“Tashmë kemi nisur të planifikojmë e të organizojmë aktivitetet tona të rezistencës. Kërkoj, në cilësinë e kryetarit, nga të gjithë ju, që ta keni prioritet organizimin e aksioneve e protestave që do të ndërmarrë Lëvizja kundër demarkacionit”, ka thënë Ymeri në fjalimin e tij mbajtur në Mbledhjen e III Zgjedhore të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.

YouTube player