Paloka: Siguria kombëtare është kërcënuar rëndë

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaroi sot se grabitja ne Rinas tregoi se ka rënie të sigurisë kombëtare.

Lajme

03/07/2016 14:37

 

Nënkryetari i PD-së, Paloka, nëpërmjet një deklarate për mediat tha se siguria kombëtare është kërcënuar më rëndë si asnjëherë tjetër pas vitit 1997, pasi praktikisht është “pushtuar Aeroporti”, një infrastrukturë e rëndësisë strategjike, e Shqipërisë dhe e NATO-s.

Ky sulm me armatim të rëndë, sipas tij, ka ndodhur pas sulmit terrorist ne Aeroportin e Stambollit, pra në një kohë kur niveli i kërcënimit dhe gatishmërisë së strukturave përgjegjëse për sigurinë në aeroport, sipas Ramës, ishin vendosur në shkallën më të lartë.

“E vërteta është se akte të tilla kriminale janë përsëritur frikshëm në aksin Tiranë-Vorë-Rinas, që është një nyje me rëndësi strategjike kombëtare, sepse nëpërmjet kësaj rruge lidhen të gjitha aktivitetet ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe ato të turizmit. Praktikisht, kur bien Aeroportet – çfarë garancie mund të ofrojë shteti për sigurinë e jetës, pronës dhe qytetarit të zakonshëm, e me tej, stabilitetit dhe sigurisë kombëtare”, tha Paloka.