Pallaska: Elita politike me model politik si të “Reality TV”

Avokati Dastid Pallaska ka thënë se kultura e shfaqur në protestën e sotme tregon se qytetarët po i rezistojnë përpjekjeve të elitave politike që të përfshihen në një konflikt inatesh.

Lajme

17/02/2016 20:26

Ai thotë se elita politike kosovare po vepron sipas një modeli siç hasen edhe në Reality TV.

Pallaska ka folur edhe për fjalimin e Dardan Molliqajt dhe të Hashim Thaçit.

Lexoni të plotë reagimin e tij postuar në Facebook:

Kultura qytetare e shfaqur sot gjatë protestës dëshmon se qytetarët po i rezistojnë përpjekjeve të elitave politike për t’i kyçur ata në një konflikt inatesh të politikanëve të konsumuar. Për më shumë, bartja e flamujve të shtetit nga qytetarët – jashtë skenarit të organizuesve të protestës – tregon se ndjenja për Republikën është e gjallë dhe e fortë.

Thënë këtë, elita politike në vend çdo ditë e më shumë po e konfirmon bindjen se model të veprimtarisë së vet politike i ka programet televizive “Reality TV.”

Udhëheqësit formal/joformal të pozitës dhe opozitës konfirmuan sot se marrjen dhe mbrojtjen e pushtetit e synojnë me “zellin” që mund të haset vetëm tek aktorët/yjet e dështuar(a) të shoë-biznesit që – në një program televiziv “Reality TV” – luftojnë pa kompromis për një shpërblim monetar që nuk i plotëson dot zbrazëtirat/pasiguritë e tyre personale.

Duke qenë se ky program televiziv “Reality TV” na është imponuar gjithë ditën, dhe atë në transmetim të drejtpërdrejtë, është me rëndësi të nënvizohen momentet kryesore të “performansës” së sotme të “garuesve” kryesor.

Opozita: Fjalimi më i rëndësishëm gjatë protestës së sotme të opozitës ishte ai i Dardan Molliqajt. Jo për faktin se ofendoi të gjithë shtetasit e Republikës që festuan pavarësinë e fituar me shumë mund por për shkak se – për dallim nga folësit tjerë që u kufizuan në kërkesën për dorëheqje të qeverisë – Dardan Molliqaj shpalosi ofertën/alternativën e opozitës për zgjedhjet që po i kërkon opozita me kaq ngulm. Pavarësisht se gjatë fjalimit e tradhtoi zëri disa herë, oferta/alternativa e opozitës që u prezantua sot nga Dardan Molliqaj ishte e fuqishme dhe e qartë: përmbysja e shtetit dhe rendit kushtetues në shkëmbim të një krahine njëkombshe të shqiptarëve të Kosovës që do t’i bashkëngjitet Shqipërisë. Fjalimi i Dardan Molliqajt vështirë se mund të konsiderohet si shmangie nga skenari/programi i opozitës. Kjo për shkak se asnjëri nga udhëheqësit e opozitës që folën pas tij nuk e ndryshuan asnjë pikë të ofertës/alternativës së shpalosur nga Dardan Molliqaj.

Pozita: Sot qeveria ishte konkurrente e denjë e opozitës në garën e tyre për të treguar se kush e do më shumë shkatërrimin e Republikës. Deklarata e Hashim Thaçit se sot ishte përgatitur për ballafaqim fizik me opozitën ishte dëshpëruese dhe pak e besueshme. Dëshpëruese sepse fjalori i përdorur nuk i ngjante një burrështetasi që pretendon zyrën më të lartë në vend por një individi të zënë në panik. Pak e besueshme sepse Hashim Thaçi, me gjithë të bëmat e tij, nuk është se dallohet për ballafaqime fizike me kundërshtarët e tij politik. Deklaratat e Isa Mustafës për sukseset e arritura të qeverisë ishin të papërfillshme dhe nuk meritojnë koment.

Ju takon juve miq të nderuar të vlerësoni cilën alternativë dëshironi ta mbështetni. Tash opsionet janë pak më të qarta. Keni të drejtë edhe të gaboni. Por, keni parasysh se kësaj here gabimet mund të jenë të pakthyeshme.