OVLUÇK kërkon nga Qeveria punë për implementimin e ligjit

Duke uruar gjithë bashkëluftëtarët për miratimin e Ligjit për veteranët, OVLUÇK kërkon edhe punë në vazhdim nga Qeveria në implementimin e këtij ligji. Pas miratimit, besojnë në përmirësim të pozitës së tyre shoqërore e ekonomike.

Lajme

03/04/2014 18:45

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka uruar nëpërmjet një komunikate për media të gjithë bashkëluftëtarët për miratimin e Ligjit për Veteranët e Luftës së UÇK-së.

Sipas tyre, me miratimin e këtij ligji, do të përmirësohet dukshëm pozita e tyre.

“Pas miratimit të këtij ligji, pozita shoqërore dhe ekonomike e veteranëve të luftës do të përmirësohet dukshëm, e me këtë rast ne përgëzojmë bashkëluftëtarët për durimin dhe pjekurinë e kallëzuar karshi proceseve të paqes dhe shtetndërtimit”.

Duke falënderuar deputetët që votuan pro ligjit dhe Qeverisë për punën e deritanishme, këta kanë kërkuar që Qeveria të shkojë edhe një hap tutje, drejt implementimit të këtij ligjit.

“Ne falënderojmë deputetët që votuan për miratimin e këtij ligji dhe inkurajojmë të gjithë deputetët që të jenë në mbrojtje të vlerave të shenjta të luftës së UÇK-së. Qeverisë së Kosovës i kërkojmë që të punojë në implementimin e këtij ligji dhe e falënderojmë për kontributin e deritashëm”.