Osmani: Shpend Ahmeti po bën lojë nëpërmjet Selim Pacollit për të ndërtuar garazhet kundërligjshëm

Arkitekti, Valdet Osmani mendon se prapa idesë së riaktualizuar të Selim Pacollit për të ndërtuar xhami në kampusin universitar, fshihet Shpend Ahmeti, në mënyrë që të ngjallë pakënaqësi tek  shoqëria civile dhe  që më pas të realizojë planin e tij për ndërtimin e garazheve.

Lajme

28/12/2017 22:30

Selim Pacolli, nënkryetar i Prishtinës, edhe njëherë ka përsëritur idenë që të ndërtohet një objekt fetar brenda kampusit të tanishëm të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Pacollit, ka thënë se kjo do të bëhet vetëm atëherë kur të sigurohet hapësira e nevojshme për studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Për idenë e Pacollit ka folur edhe kryetari Ahmeti. Ai ka thënë se ky projekt dhe Universiteti i Prishtinës nuk do të transferohen ndërsa xhamia tashmë e ka hapësirën e vet.

Megjithëkëtë, Valdet Osmani, eksperti i arkitekturës dhe urbanizmit, i cili i ka përcjell në vazhdimësi zhvillimin urban të Prishtinës, thotë se diskutimi rreth dislokimit të kampusit dhe ndërtimit të objekteve fetare aty ku gjendet tash kampusi është një lojë e Shpend Ahmetit pasi me Plan Rregullues dhe me Planin Zhvillimor Urban, ajo hapësirë është e përcaktuar si kampus i Universitetit, shkruan lajmi.net.

“Qëllimi i Shpendit është që brenda kampusit të ndërtohet qendër tregtare e parkingje dhe zhveshja e gjelbërimit brenda kampusit universitar. Në vend se të ndërtohen fakultete dhe hapësira për studentë, komuna ua merr hapësirën dhe tokën UP-së dhe studentëve për ndërtim të qendrave tregtare, zhveshjen e gjelbërimit, rrënimin e bustit të “Fehmi Aganit” dhe parkingje për ta ngulfatur dhe ndotur qytetin duke i thirr 2000 vetura në qendër! Ky është vizitoni i tij që e ka bërë publik për atë pjesë”, tha Osmani për lajmi.net.

Osmani thotë se, pas idesë së prezantuar nga Pacolli, tash, ekspertët, shoqëria civile dhe qytetarë dalin në përkrahje të Shpendit dhe kësisoj vjen deri të realizimi i planit të kundërligjshëm të tij. /Lajmi.net/