Opozita e ‘bashkuar’ shkon te Presidentja me kërkesën e vetme: Të tërhiqen nënshkrimet (Video)

Partitë opozitare VV, AAK dhe Nisma, do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së presidentes Atifete Jahjaga, e cila i ka ftuar partitë politike për t’u ulur që të diskutojnë gjetjen e një zgjidhje të daljes nga kriza.

Lajme

19/10/2015 13:39

Lideri i VV-së, Visar Ymeri, sot në një konferencë për media ka thënë se ende janë duke e shqyrtuar ftesën e presidentes Atifete Jahjaga, por me gjasë në takimin e parë i cili do të jetë vetëm me Presidenten, ata do të shkojnë, dhe do të ketë vetëm një kërkesë, raporton lajmi.net.

Sipas Ymerit, si do që të jetë takimi te Presidentja, opozita e bashkuar ka veç një kërkesë, të tërhiqen nënshkrimet.

Ymeri tha se nesër ata do të shkojnë te Presidentja së bashku – tri partitë opozitare, por sipas tij, ky ende nuk është vendim i prerë.

“Do shkojmë me kërkesa të përbashkëta me ato që kemi deri tash. Sa i përket seancave, ne do të veprojmë njëllojë”, tha ai.

Ndërsa, sa i takon takimit të përbashkët, pozitë-opozitë, të ndërmjetësuar nga Presidentja, i cili është paralajmëruar të ndodhë pas takimeve që e para e shtetit do t’i ketë ndaras me partitë politike, opozita thotë se do ta shqyrtojnë si mundësi vetëm nëse, kryeministri i tërheq nënshkrimet nga marrëveshjet.

“Nuk e di pse po na thërret Presidentja. Nëse do tërhiqeren nga marrëveshjet, atëherë do shkojmë për të diskutuar modalitetet bashkë me pozitën. Ndryshe, nuk e dimë ende nëse shkojmë në takim edhe me pozitën”, tha Ymeri.

Kryetari i Ymeri në këtë konferencë ka folur edhe për marrëveshjet lidhur me njohjen e diplomave universitare. Ai ka thënë se asnjë diplomë të universiteteve të Kosovës, Serbia nuk i ka pranuar, ndërkaq Kosova po.

Duke folur për marrëveshjet e arritura mes dy vendeve, Ymeri ka thënë se ende po krijohen kolona të gjata gjatë verës në kufi.

Sa i përket të hyrave doganore ai tha se paratë mblidhen por shkojnë drejtpërdrejtë në fondin e veriut.

Duke folur për shpërbërjen e Mbrojtjes Civie, Ymeri tha se marrëveshja asnjëherë nuk është zbatuar dhe sipas tij, ende ka struktura paralele të Serbisë në Kosovë.

Kreu i VV-së, thotë se marrëveshjet e arritura në Bruksel po zbatohen njëanshëm dhe sipas tij, ato nuk duhet të vlejnë.

Ai shprehet i bindur se rregullat e caktuara nga marrëveshjet i zbaton vetëm Kosova e jo Serbia. /lajmi.net

YouTube player