OKB, Bllokohen dy rezoluta mbi Lindjen e Mesme

Shtetet e Bashkuara i kanë vënë veton një projekt-rezolute të Këshillit të Sigurimit që kërkonte të mbronte civilët palestinezë.

Bota

03/06/2018 00:15

Projekt-rezoluta e propozuar nga Kuvajti kishte mbështetje të mjaftueshme për t’u miratuar por u bllokua nga Shtetet e Bashkuara.

Rezoluta e Kuvajtit kërkonte të ndalohej përdorimi i “formave ekstreme të forcës, apo zbatimi i forcës në mënyrë joproporcionale dhe pa dallim” nga ushtria izraelite.

Shtetet e Bashkuara thanë se rezoluta nuk ishte objektive pasi nuk përmendte Hamasin.

Ndërkaq, një projekt-rezolutë e propozuar nga Shtetet e Bashkuara që fajëson grupin ekstremist palestinez, Hamas për acarimin e situatës në Rripin e Gazës, dështoi pasi Bolivia, Kuvajti dhe Rusia votuan kundër, dhe 11 vende të tjera abstenuan.