OEK kundërshton vendimin për masa mbrojtëse për pemë dhe perime – Lajmi.net
OEK kundërshton vendimin për masa mbrojtëse për pemë dhe perime
Autori: Lajmi.net EkonomiLajme 11:44, 31 July 2018
Oda Ekonomike e Kosovës bën thirrje që të ketë politikëbërje të matur në raport me efektet e politikave nacionale mbi bizneset vendore dhe konkurueshmërisë së tyre në raport me rajonin.

Vendimi për aplikimin e masës mbrojtëse për pemë dhe perime, sipas OEK-së, jo vetëm që ka çrregulluar tregun vendor, por ka ndikuar drejtpërdrejtë edhe në çmimin final të produkteve për kompanitë përpunuese dhe tregtare, lënda e parë e së cilave bie në kategorinë e produkteve të mbrojtura.

“Oda Ekonomike e Kosovës është angazhuar që ta kuptojë efektin e këtij vendimi direkt nga kompanitë e industrisë përkatëse, ku është raportuar se rritja mesatare e çmimeve për produktet që ka prekur masa mbrojtëse është 21.6%, kjo për arsye se është rritur çmimi i lëndës së parë dhe kostoja e importit për kompanitë tregtare. Si rezultat i matshëm i këtij vendimi është vërejtur zvogëlim i marzhës së fitimit dhe sasisë së shitur. Për më shumë, shumica e bizneseve të industrisë kanë theksuar se nuk ka prodhim vendor të mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e konsumatorëve për pemë dhe perime dhe se vendimi nuk është marrë në kohë të përshtatshme”, thuhet në reagimin e OEK-së.

Përderisa nënkuptohet se qëllimi kryesor i këtij vendimi ishte mbështetja e prodhimit vendor, Oda Ekonomike e Kosovës dëshiron të potencojë se vendimi nuk ka marrë parasysh një segment madhor të industrive, asaj përpunuese dhe tregtare.

“Rrjedhimisht, çdo efekt pozitiv që është vërejtur tek kompanitë prodhuese është mbipeshuar nga efektet negative tek kompanitë përpunuese”, thekson OEK.

Oda Ekonomike e Kosovës apelon që para se të merren vendime të ngjashme në të ardhmen, të bëhen analiza dhe studime të detajuara lidhur me efektet zinxhirore që pasojnë, nga të cilat varet edhe suksesi i një politike të tillë.

Për më tepër, sipas të dhënave të siguruara nga Dogana e Kosovës lidhur me importin e pemëve dhe perimeve për vitin 2018, del se vendimi në fjalë nuk gjen arsyeshmëri as nga ky aspekt, pasi që nuk është raportuar rritje e importit.

“Statistikisht nuk ka pasur vëllim të shtuar të importit për pemët dhe perimet me çka edhe vihet në pikëpyetje nevoja për këtë masë mbrojtëse, së paku jo kaq të shpejtuar dhe pa konsultime paraprake me palët e interesit”, deklaron OEK.

Sa për ilustrim, si rezultat i masës mbrojtëse, importi për vitin 2018 për ditët gjatë së cilës është aplikuar masa, krahasuar me ditët e njëjta në vitin 2017, ka shënuar një rënie të lehtë prej €40,000.

Oda Ekonomike e Kosovës shpreh gatishmërinë për të qenë partner i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në kuptimin e nevojave reale të bizneseve vendore si dhe në bashkërendimin e aktiviteteve për përmbushjen e këtyre nevojave./Lajmi.net/

 

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO