Nxënësi që vijon i vetëm në shkollë klasën e shtatë

Sead Namani nuk ka as shokë e as shoqe të klasës. Është i vetmi nxënës që vijon mësimet e klasës së shtatë në shkollën fillore “Dëshmorët e 1921” në Prapashticë.

Lajme

13/01/2015 20:29

Kjo për shkak se në këtë institucion arsimor numri i nxënësve është shumë i vogël, transmeton KlanKosova.

Seadi thotë se nga mësimdhënësit trajtohet mirë por ka raste kur ora e mësimit i duket shumë e gjatë.

“Kur jam këtu në klasë, jam veç vetëm dhe nganjëherë s’më rrihet hiç”.

Një gjë të tillë e pranojnë edhe mësimdhënësit.

“Ora është monotone në njëfarë mënyre, kur në planprogram kemi përsëritje. Gjithmonë shkon ashtu jo mirë…”.

Kjo ndodh edhe për shkakun se ka edhe një objekt shkollor në fshatin fqinj, ku mësimet i vijojnë vetëm 22 nxënës, shtatë në Prapashticë e 15 në Balaj.

Drejtori i shkollës, Fehmi Kuleta thotë se para luftës kjo shkollë kishte mbi 100 nxënës, e tash ky numër është pakuar dukshëm. Shkak për këtë thotë se është shpërngulja e banorëve, e cila po ndodh për arsye ekonomike por edhe të lidhjeve jo të mira me qytetin sa i përket transportit publik për banorët e këtyre fshatrave.