Nuk flitet për anëtarësim të Kosovës në OKB

Aleksandar Vulin thotë se Serbia nuk do të diskutojë asnjëherë për anëtarësimin e Kosovës në OKB. BE, sipas tij, nuk do t’i kërkojë Serbisë që ta njohë Kosovën.

Lajme

24/01/2014 14:22

Ministri pa Portofol i Serbisë i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin, ka theksuar se nuk do të ketë bisedime me Kosovën për anëtarësimin e kësaj të fundit në OKB.

Ai ka thënë për mediat serbe se Bashkimi Europian nuk do të kërkojë nga Serbia që ta njohë Kosovën.

“As kapitulli 35 dhe as dialogu me Prishtinën, nuk janë mundësi në të cilat do të zgjidhet çështja e statusit, kjo gjë rregullohet në Këshillin e Sigurimit të OKB’së. Serbia nuk do ta pranojë Kosovën dhe nuk ka se çfarë të diskutohet për këtë. Këtë e kanë të qartë edhe partnerët tanë të BE’së”.  

Sipas Vulinit, kërkesa që Serbia të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB ka qenë para Marrëveshjes së Brukselit, por kjo është hedhur poshtë nga pala serbe.

Ai tha se në dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit do të diskutohet lidhur me çështjen e pronave në Kosovë, kishat dhe manastiret si dhe kthimi i serbëve të zhvendosur.