Nishani kundër Berishës: Nuk e pranoj propozimin për armatosjen e qytetarëve

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ish- ministër i Brendshëm në qeverinë “Berisha 1” rrallë herë del kundër Sali Berishës. I ftuar në emisionin “Të pa ekspozuarit” në “Ora News”, kreu i shtetit doli kundër thirrjes që Berisha bëri sot nga foltorja e Kuvendit për armatosjen e popullit kundër qeverisë.

Lajme

21/04/2016 22:52

Nishani u shpreh se mendoj se nuk është thirrje e drejtë ajo e ish- kryeministrit Berisha.

“Normalisht nuk i takon Presidentit të Republikës në kontekstin funksional, të komentojë deklarata politikë të anëtarëve të parlamentit, përfaqësuesve të partive. Rasti është paksa i veçantë, duke pasur parasysh kontekstin e debatit, e çështjes, në lidhje me veprimtarinë kriminale të një prej grupeve më serioze të Emiliano Shullazit, për ta thënë që në fillim, të mos harrojmë kurajën politike dhe qytetare të Berishës, për të denoncuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, çka se kemi parë nga politikanë të tjerë, të veprimtarisë kriminale të këtij grupi. Kjo është njëra anë.

Çështja e të drejtës për të armatosur qytetarët shqiptarë, unë se pranoj. Është një propozim jo i duhur. Çdo deputet, apo grup deputetësh, mund të ndërmarrin iniciativa ligjore, që të propozojnë se qytetarët mund të marrin armë dhe të mbrojnë pronën. Mendoj se nuk është një thirrje e duhur.

Mundësia që tu jepet qytetarëve, nëpërmjet një legjislacioni të caktuar, për tu mbrojtur, ka një situatë shqetësuese të krimit të organizuar në Shqipëri, unë e shoh që s’do të ishte pozitive që qytetarët të pajiseshin me armë”, tha Nishani.