Nis java e produkteve dhe firmave italiane në Kosovë

Festivali italian në Kosovë, me aktivitete të ndryshme promovuese të produkteve e firmave italiane, fillon për herë të parë sot dhe do të zgjasë deri më 7 dhjetor.

Lajme

01/12/2014 19:53

Ambasadori italian në Kosovë, Andreas Ferrarese theksoi nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Festivali italian shërben për të promovuar produktet “Made in Italy” dhe synon të krijojë marrëdhënie të forta bashkëpunimi ndërmjet kompanive italiane dhe kosovare, tha në një konferencë ambasadori italian. Ambasadori Ferrarese theksoi se Kosova e ka bilancin më të mirë tregtar me Italinë, në krahasim me vendet e tjera.

“Në vitin 2013 Kosova më së shumti ka eksportuar në Itali. Shkëmbimi tregtar mes dy vendeve ka qenë rreth 300 milionë euro. Ne kemi eksportuar 220 milionë euro, kurse kemi importuar nga Kosova 80 milionë euro”, tha ai.

Ndryshe, Italia është e treta në botë dhe e dyta në Evropë në listën e eksportuesve në Kosovë. Festivali, në bashkëpunim me Ambasadën italiane, organizohet nga instituti italian për tregti të jashtme ICE, që ka hapur zyre edhe në vendin tonë pranë ambasadës së Italisë. Drejtoresha e Institutit, Gabriela Lombardi theksoi rëndësinë e festivalit për të dyja vendet.

“Festivali italian ka për qëllim të japë një shtysë të re në marrëdhëniet midis dy vendeve përmes një jave intensive të aktiviteteve, për të vënë bashkë dhe njohur sipërmarrësit kosovarë dhe italianë”, tha ajo.

Gjatë një jave, sa do të zgjasë festivali, do të ketë promovime në vende të ndryshme, kryesisht në Prishtinë, të veshjeve, ushqimeve dhe firmave italiane.