Nis hetimi për rrëzimin e helikopterit

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Jeronim Bazo mbajti një konferencë të posaçme për mediat për të sqaruar opinionin publik në lidhje me rrëzimin e helikopterit të ushtrisë, ku mbetën të vdekur dy pilotë dhe u plagos një ushtar.

Lajme

06/04/2016 18:00

Duke ngushëlluar për humbjen e jetës së dy pilotëve të devotshëm e të talentuar siç ai u shpreh, Bazo tha se tashmë ka nisur një hetim për të hedhur dritë mbi rrethanat që sollën këtë aksident të rëndë.

“Forcat e Armatosura kanë humbur dy ushtarakë të devotshëm, të talentuar të gatshëm për të sakrifikuar për të tjerët. Përcjell ngushëllimet më të ndjera për familjet e të rënëve  në krye të detyrës”, tha ai.

Bazo konfirmoi zyrtarisht se në ekuipazhin e helikopterit EC 145 ishin tre persona, kapiteni Floran Deliaj, togeri Donald Hoxha, të cilët humbën jetën, si dhe ushtari i dytë Gerald Baramuca, për të cilin tha se ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Bazo sqaroi se ushtarakët kishin marrë leje për këtë fluturim stërvitor. Gjithçka sipas tij ishte brenda itinerarit të përcaktuar për stërvitjen. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, tha se helikopteri i rrëzuar në Liqenin e Shkodrës ishte për operacionet e kërkim shpëtimit.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura sqaroi se helikopteri është futur në përdorim të FA në nëntor të vitit 2015. Bazo shtoi se me një kontratë disa vjeçare u morën 2 helikopterë nga Franca, të cilët ishin brenda periudhës së fluturimit të përcaktuar në kontratë.

Në përfundim Bazo theksoi se dy pilotët kishin përvojë të kënaqshme,  të trajnuar brenda dhe jashtë vendit, ndaj i mbetet hetimeve të zbulojnë se çfarë ka shkuar keq gjatë fluturimit që solli rrëzimin e avionit.