Nga përplasja e autobusit në Serbi, 3 sllovakë dhe 2 çekë të vdekur

Zyrtarët në Çeki dhe në Sllovaki thonë se në përplasjen e një autobusi të Sllovakisë në Serbi, e kanë humbur jetën tre sllovakë dhe dy çekë.

Lajme

21/06/2016 18:42

Në raportet e mëparshme theksohej se të gjithë ata që e humbën jetën nga kjo përplasje, ishin shtetas të Sllovakisë.

Pesë vetë kanë humbur jetën dhe 23 të tjerë janë lënduar sot herët në mëngjes, kur një autobus nga Sllovakia, me turistë që ktheheshin nga pushimi në Greqi, doli nga autostrada në pjesën jugore të Serbisë, kanë thënë zyrtarët.

Të lënduarit po trajtohen në spitale në qytetet Aleksinac dhe Nish, ka njoftuar Ministria e Brendshme e Serbisë.

E përditshmja sllovake, Denik N, tha se në autobus ishin 29 udhëtarë dhe 2 shoferë, përfshirë 12 çekë dhe një numër i qytetarëve hungarezë.

Policia e Serbisë tha se autobusi u përplas në autostradën që e lidhë Serbinë me Maqedoninë.