Neurokirurgjia e lënë pas dore

Neurokirurgu Haxhi Avdyli thotë se Neurokirurgjia është lënë pas dore që prej pas luftës, në investime, në krijimin e ambientit punues etj. Ai ankohet se ka vetëm një sallë operacioni me të cilin s’mund të përballohet fluksi i pacientëve.

Lajme

15/12/2013 14:29

Klinika e Neurokirurgjisë është lënë pas dore nga institucionet shëndetësore, në një kohë kur nevojat e qytetarëve për trajtim dhe operim në këtë klinë janë shumë të mëdha.

Neurokirurgu Haxhi Avdyli, ka deklaruar për Evropa e Lirë, se aktualisht në listën e pritjes për ndërhyrje kirurgjikale vetëm në kurriz, janë më shumë se 40 persona.

“Ne kemi vetëm një sallë operacioni dhe nuk mund ta përballojë fluksin e pacientëve, pasi që një operacion në tru zgjat me orë të tëra dhe vetëm një rast në ditë mund të kryhet”.

“Ndërsa, neve, brenda javës na vijnë deri në 6 raste e më shumë vetëm me tumor në tru, e të mos flasim për sëmundjet e kurrizit që shkaktojnë dhimbje të mëdha të shpinës, e që në listën e pritjes në Neurokirurgji (numri i personave) ka arritur në 40”.

“Neurokirurgjia është lënë pas dore që prej pas luftës, në investime, në krijimin e ambientit punues më të përsosur, sepse kjo lëmi është shumë delikate, kërkon mjete shumë të veçanta, sepse kemi të bëjmë me intervenime në tru dhe kurriz”.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë për Evropa e Lirë se duhet parë se cilat janë mundësitë që me buxhetin ekzistues, gjatë vitit 2014, të krijojnë kushte më të mira të punës për kolegët, në këtë rast në neurokirurgji, por edhe në raste tjera.

“Do të provojmë t’i iniciojmë ndryshimet konkrete. Ka hapësirë për punuar shumë”.

“Unë nuk kam pasur mundësi të jem me ta në këtë periudhë, pasi që kam pasur punë tjera që jemi marrë, por mendoj që themelimi i shërbimeve profesionale të linjës brenda shërbimit spitalor klinik universitar të Kosovës, do të ngritë dukshëm përgjegjësinë dhe kompetencën profesionale të neurokirurgëve që të gjejmë zgjidhjet më të mira të mundshme” .

Ndërkaq, Haxhi Avdyli shpreh shqetësimin e tij se pacientët me diagnoza të neurokirurgut nuk mund të presin gjatë, andaj një sallë operative nuk mjafton dhe e sheh si urgjente shtimin e numrit të sallave operative.

“Mungesat që shkaktohen në këtë klinikë, më së shumti i vuan pacienti pasi që pritjet e gjata për t’iu nënshtruar një operacioni në tru ose kurriz, shkakton shpeshherë dëmtime në këtë sistem të organeve dhe operacioni nuk e sjell rezultatin e duhur. Tjetër faktor është që kushtet jo të mira bëjnë që pacientët të ikin nga klinika dhe të shkojnë në klinika private apo jashtë vendit. Këto ndodhin për mungesë të kapacitetit të sallave të operacionit”.

Në anën tjetër, Ministri Agani zotohet se në vitin 2014, ai personalisht do të merret me problemet e natyrave të ngjashme, pasi që mendon se problemi qëndron te menaxhimi dhe jo te mungesa e hapësirave.

“Unë jam i bindur se ka rezerva brenda klinikës që nuk janë shfrytëzuar sa duhet për shkaqe sistemore në radhë të parë, por edhe për shkaqe menaxheriale.  Do të tentojmë me kolegë dhe unë vetë, personalisht, të kontribuoj që t’i tejkalojmë (vështirësitë)”.

Sidoqoftë, sipas Haxhi Avdylit, me kapacitetet aktuale që ka Klinika e neurokirurgjisë, mund të kryhen 1- 3 operacione në ditë, ndërsa kërkesat janë shumë më të mëdha.

Ndryshe Klinika e Neurokirurgjisë është klinika e vetme në Kosovë, e cila ofron shërbime të subspecializuara për intervenime për tru dhe kurriz. Si e vetmja klinikë, ajo nuk e ka pasur zhvillimin e vet të duhur, thonë profesionistët shëndetësorë, duke theksuar se është anashkaluar në zhvillimet e përgjithshme të shëndetësisë. Kjo klinikë ka vetëm një sallë të operacionit dhe numër shumë të madh të pacientëve.