Nesër seanca për “Grupin e Drenicës”

Të akuzuarit e të ashtuquajturit “Grupit të Drenicës” pritet të dalin nesër para trupit gjykues. Mbrojtja pret që të akuzuarit për krime lufte të shpallen të pafajshëm.

Lajme

05/12/2013 14:43

Nesër në Prishtinë do të mbahet seanca e parë, fillestare, për rastin e Sylejman Selimit, Sami Lushtakut dhe 13 ish pjesëtarëve të UÇK’së, të akuzuar nga Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës për veprën penale të kimeve të luftës.

Këtë e ka bërë të ditur avokati mbrojtës i Sylejman Selimit, Tomë Gashi i cili thotë se në seancën e nesërme, do të  kërkojë nga kryetari i trupit gjykues që Selimin dhe të tjerët t’i lirojë nga paraburgimi.

“Mbrojtja e të akuzuarve do të ketë rastin që nesër të kërkojë nga kryetari i trupit gjykues që Selimi dhe të tjerët, t’i lirojë nga paraburgimi”.

Gashi shprehët i bindur se të akuzuarit, do të lirohen, pasi që sipas tij, akuzat ndaj tyre janë të pabaza, të paargumentuara dhe inskenime.

“Seanca e nesërme do të jetë përgatitje për një gjykim pasues nga i cili jam i bindur se Selimi, por besoj edhe të tjetër do të lirohen nga këto akuza të pabaza, të paargumentuara dhe të ngritura me inskenime vetëm për te diskredituar në pjesë të elitës të komandantëve dhe ushtarëve të UÇK’së, që mbajtën mbi supet e tyre barrën e rëndë për të luftuar kundër policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, deri në çlirimin e Kosovës”, ka thënë Gashi.

Akuzat e ngritura nga i ashtuquajturi “Grupi i Drenicës”, kanë të bëjnë me pretendimin se këta ish ushtarakë të UÇK’së kanë kryer krime lufte në një fshatë në Drenicë, gjatë luftës së vitit 1999.