Nesër Qeveria

Isa Mustafa deklaron se partia e tij ka korrur një fitore të rëndësishme në zgjedhjet lokale. E zgjedhjet nacionale, mezi i pret, sepse është i bindur se LDK do të jetë fituesja e tyre dhe do ta qeverisë vendin vitin e ardhshëm.

Lajme

05/12/2013 13:22

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një takim me Kryesinë e LDK’së, që ka mbajtur sot, ka deklaruar se partia e tij është fituesja e zgjedhjeve lokale.

Për të, dita e zgjedhjeve nacionale nuk është e largët dhe beson se në ato zgjedhje partia e tij do të dalë fituese.

“Unë mund t’ju them se Lidhja Demokratike e Kosovës ka korrur fitore shumë të rëndësishme në këto zgjedhje”.

“Nuk do të jetë ditë e largët që ne do të shënojmë fitore në zgjedhjet nacionale dhe LDK do ta themelojë Qeverinë e Republikës së Kosovës. Në mënyrë shumë të përgjegjshme dhe të ndërgjegjshme, ne do të qeverisim me vendin që nga viti i ardhshëm”.

“Si parti, kemi dalë parti e parë me votën e qytetarëve, duke marrë parasysh votën e partive politike të cilat i kanë arritur, qoftë për Kryetar të Komunave, qoftë për asambleistë të Kuvendeve Komunale”.

“Kemi fituar komuna të mëdha në të gjitha pjesët e Kosovës. LDK’ja ka arritur një shtrirje edhe me votë edhe me anëtarësi dhe me organizim në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

“Kemi arritur fitore veçmas në Komuna të mëdha, në Gjilan, Ferizaj, Pejë, Suharekë, Lipjan,Podujevë, Istog, Fushë Kosovë dhe në Viti një sukses i rëndësishëm”.

“Edhe në Prishtinë kemi arritur fitore në Asamblenë Komunale, sepse kemi numrin më të madh të asamblesitëve në raport me subjektet e tjera politike. Poashtu, kemi ruajtur votën e Lidhjes Demokratike në Prishtinë dhe kjo na bën të fortë që ne të organizohemi mirë, të punojmë në mënyrë të suksesshme dhe t’i fitojmë zgjedhjet nacionale në vitin e ardhshëm.”

Takimi i Kryesisë së LDK’së | Foto: Petrit Rrahmani | lajmi.net

 

Isa Mustafa ka thënë se pas suksesit në zgjedhje lokale, LDK është e gatshme për zgjedhje nacionale, kurdo që ato të ndodhin, sepse ai është i bindur se subjekti i tij do ta qeverisë Kosovën edhe në nivelin qendror.

“Se kur do të jenë zgjedhjet, nuk varet më nga ne, se ne jemi të gatshëm që të startojmë qysh nesër për zgjedhjet qendrore”.

“Jemi të mobilizuar, jemi të përkushtuar dhe kemi përkrahjen e anëtarësisë dhe të qytetarëve që të shkojmë me fitore në zgjedhjet nacionale, ashtu siç kemi fituar me komunat shumë të rëndësishme në territorin e Republikës së Kosovës”.

Mustafa, në mbledhjen e Kryesisë së LDK’së, kishte ftuar të gjithë Kryetarët fitues të zgjedhjeve lokale, ku ju tha se me këto fitore “ka fituar qytetari”.

Ai tha se objektivi kryesor i tyre është që të punojnë në çdo komunë që e kanë fituar.

“Unë dëshiroj që në emrin tim dhe në emër të Kryesisë t’u uroj fitore të gjithë kryetarëve të komunave, t’i falënderoj shumë për përkushtimin e tyre dhe të anëtarësisë së LDK për një punë shumë të madhe dhe të rëndësishme të cilën e kanë bërë”.

“Jam shumë i bindur se me këto fitore kanë fituar qytetarët e këtyre komunave, kanë fituar qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse do të kemi një qeverisje të mirë, do të kemi një qeverisje e cila do të punojë në interes të çdo qytetari, në interes të çdo familje dhe në interes të qyteteve dhe komunave ku ne kemi shënuar këtë fitore shumë të rëndësishme”.