Nesër publikohen emrat e ministrave të rinj të BDI-së?

Dorëheqjet e parevokueshme të ministrave të BDI-së me urdhër të vetë kryetarit të kësaj partie, janë një vendim i qëlluar, për shkak se bëhet fjalë për një klasë ministrash të konsumuar politikisht. Kështu vlerësojnë një pjesë e njohësve të çështjeve politike.

Lajme

03/04/2016 19:51

Por Maksuti nuk rekomandon që BDI të tërhiqet nga qeveria në një moment të tillë politik.

“Bashkimi Demokratik për Integrim nuk mund të japë dorëheqje dhe nuk mund asesi të tërhiqet nga qeveria në këtë moment, sepse kjo është dashur të bëhet shumë më herët dhe jo pikërisht tash në këtë moment dhe për arsye se tash më ajo është një nga pjesëmarrësit kryesorë të Marrëveshjes së Përzhinës dhe përgjegjësia apo barra mbi të gjitha i bie në realizimin e plotë, pra në tërësi, deri në fund të kësaj marrëveshjeje”, deklaroi ekspert juridik Mersim Maksuti.

Nga pikëpamja juridike çdo funksionar publik ka të drejtën e dhënies së dorëheqjes me kusht që kjo të justifikohet përpara kuvendit.

“Sipas rregullores së punës së kuvendit të Republikës së Maqedoni çdo funksionar publik ose çdo funksionar tjetër të cilin e zgjedh ose e emëron kuvendi i R. së Maqedonisë, kanë të drejtë të japin dorëheqje dhe këtë dorëheqje duhet ta arsyetojnë para kuvendit në një afat prej 15 minutash. Kuvendi në seancën e parë të radhës, vetëm konstaton dorëheqjet e ministrave të dhënë, dhe mandati i tyre pushon në ditën e seancës së kuvendit”, tha Maksuti.

Ndërkaq, ndërmjetësuesi belg Piter Vanhojte përmes një postimi në ‘facebook’, situatën aktuale politike e ka konsideruar si pasojë e një demokracie jofunksionale.

Ai ka thënë se një qeveri pa BDI-në është një qeveri pa shumicë dhe si e tillë nuk mund të funksionojë.

Heshtja e kryeministrit të vendit përballë këtyre zhvillimeve është e pakuptimtë për të, pasi sipas tij, në një shtet normal, kryeministri do të duhej që:

  1. Kryeministri bën një deklaratë publike, duke pranuar se vendi përballet me një krizë politike;
  2. Kryeministri shkon menjëherë në Parlament dhe ofron dorëheqjen e Qeverisë ; ose
  3. Kryeministri kërkon një votëbesim për të parë nëse shumica në parlament e mbështet akoma qeverinë.

Me mosrespektimin e parimeve bazë të demokracisë, sipas Vanhojtes është e qartë se zgjedhjet nuk sjellin asnjë ndryshim, por se bëhet fjalë për varrimin e eshtrave të atij shteti që dikur ishte demokratik.