Gjermanët kërcënojnë Shqipërinë se mund t’ia heqin statusin e kandidatit

Kreu i komisionit të jashtëm për Evropën në Bundestagun Gjerman, Gunther Krichbaum, ka paralajmëruar klasën politike në Shqipëri se nëse nuk miratojnë reformën ne drejtësi, atëherë mund të vendoset të hiqet statusi i vendit kandidat.

Lajme

29/06/2016 13:57

“Nëse kjo reformë dështon, mund të vendosim t’jua heqim statusin kandidat. Të gjithë të jenë të përgjegjshëm për përgjegjësinë në këtë rast, durimi ynë nuk është i pafund”, u shpreh Krichbaum. Deputeti gjerman theksoi se data 21 korrik është vendimtare për reformën në drejtësi.

“Tashmë janë pjekur kushtet të merret një vendim. Data 21 korrik është vendimtare për këtë çështje. Duhet të shmanget që BE-ja dhe Komisioni Europian të humbin durimin”, theksoi ai.

Bundestagu do të çelë dritën jeshile për çeljen e negociatave me Shqipërinë, nëse reforma miratohet dhe nis zbatimi i saj.

“Ne nuk interesohemi për letrat, por mënyrën si zbatoni ligjet. Gjermania do të japë dritën jeshile për çeljen e kapitujve të anëtarësimit, por do duhet kohë se ju duhet të zbatoni këto reforma”, tha Krichbaum.

Ai i ka bërë thirrje qeverisë dhe opozitës që ecë në të njëjtën rrugë dhe të gjejë kompromisin, pasi sipas tij nëse nuk gjendet kompromisi reforma nuk jep rezultat. Gunther Krichbaum ndodhet në Tiranë në kuadër të një misioni faktmbledhës për reformën në drejtësi.