Në Zvicër jetojnë 112 mijë e 109 shtetas të Kosovës

Numri i shtetasve të Kosovës me qëndrim në Zvicër në fund të vitit 2017 ka qenë 112 mijë e 109 persona. Ndërsa një vit më parë ky numër ishte: 111mijë e 496 persona.

Lajme

16/01/2018 16:37

Trendi i migrimit të të huajve në Zvicër, në veçanti i atyre nga vendet e BE-së dhe EFTA-s është në rënie. Siç tregon një statistikë e publkikuar të henën nga SEM (Sekretariati Shtetëror për Migracion) gjatë vitit 2017 ka pasur 20 për qind më pak se një vit më parë, qytetarë nga BE dhe EFTA që kanë ardhur për të jetuar në Zvicër.

Megjithëkëtë, numri më i madh i të huajve me qëndrim në Zvicër vazhdon të jetë ai i shtetasve gjermanë, italianë dhe portugezë. Pas tyre vijnë francezët ndërsa të parët nga një vend jashtë BE-së dhe të pestët në përgjithësi, janë kosovarët, shkruan albinfo.ch.

Siç e tregon edhe grafikoni i publikuar nga SEM, numri i shtetasve Kosovës me qëndrim në Zvicër në fund të vitit 2017 ka qenë 112.109 veta që përbëjnë 5.5% nga numri i gjithmbarshëm i të huajve në këtë vend. Këtu bëhet fjalë për shtetasit e Kosovës dhe nuk hyjnë as ata kosovarë që kanë marrë ndërkohë nënshtetësinë zvicerane dhe as ata që ende e kanë pasportën serbe.

Gjithsesi, këtu nuk llogariten shqiptarët sipas etnicitetit, pasi që një numër i konsiderueshëm i tyre janë shtetas të Maqedonisë, Shqipërisë, Serbisë dhe Malit të Zi, shkruan albinfo.ch. Për këtë arsye numri i përgjithshëm i shqiptarëve nuk është e mundur të nxirret. Mbeten në nivel të supozimeve shifrat që flasin për rreth 300 mijë shqiptarë që jetojnë në Zvicër.