Në Shqipëri, bien kërkesat për kredi

Ulja e besimit në ekonomi ka ndikuar në tkurrjen e kërkesës për kredi. Banka e Shqipërisë konstaton se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, qytetarët kanë kërkuar më pak kredi për blerje banesash dhe kredi konsumatore.

Lajme

17/04/2016 16:30

Faktorët që kanë përcaktuar këtë sjellje janë rënia e besimit konsumator dhe situata në tregun e pasurive të paluajtshme. Kërkesa për kredi është tkurrur edhe nga bizneset e mëdha.

Rënia e besimit te ekonomia ka tkurrur kërkesën e qytetarëve për të marrë kredi. Banka e Shqipërisë konstaton në raportin e Aktivitetit Kreditues se gjatë tremujorit të parë të këtij viti kërkesa e individëve për blerje banesash dhe për kredi konsumatore është ulur, ndryshe nga sa ishin pritshmëritë e sistemit bankar.

Banka Qendrore vlerëson se tkurrja e kërkesës është ndikuar nga rënia e besimit konsumator dhe situata në tregun e pasurive të paluajtshme. Përsa i përket bizneseve, sjella ka qenë jo e njëjtë. Ndërmarjet e vogla dhe të mesme kanë rritur kërkesën për kredi, si për investime, ashtu edhe për kapital qarkullues, ndërsa kompanitë e mëdha e kanë ulur atë.

Përballë nj ë kërkesë që ende shfaq oshilacione të forta, bankat kanë lehtësuar kushtet e dhënies së huave. Banka e Shqipërisë konstaton se ky lehtësim i standardeve, që vlen për bizneset dhe individët, është ndikuar nga konkurrenca në sistemin bankar, likuiditeti i tepërt dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë për të ulur normën bazë të interesit për lekun.

Për tremujorin e dytë, parahsikohet rritje e kreditimit si në monedhën vendase, ashtu edhe në valutë. Gjithsesi gjithçka do të varet nga kërkesa, që është shndërruar aktualisht në një ndër elementet që po mban peng kreditimin.