Në kërkim të vrasësit britanik, policia gjen 17 emigrantë shqiptarë në jaht

Një i dyshuar për vrasje u arrestua pasi lundronte në një jaht të mbushur me emigrantë shqiptarë. Ngjarja ka ndodhur në një nga portet luksoze në jug të Anglisë, një nga portet e jahteve me një kapacitet deri në 1.000 anije, mjaft i kontrolluar.

Lajme

25/05/2016 17:45

Burri 55-vjeçar britanik, i cili ende nuk është identifikuar, u ndalua në Chichester nga policia e cila kishte qenë në ndjekje të jahtit të tij. Por përveç akuzës për vrasje në Spanjë, ai u arrestua edhe për lehtësimin e emigracionit të paligjshëm. 17 shqiptarët gjithashtu u arrestuan si të dyshuar për kalim në mënyrë të paligjshme  në Mbretërinë e Bashkuar.

Jahti kishte lundruar nga Franca dhe po kalonte në ishullin Wight të hënën pasdite, kur njësia e flotës detare ishte vënë në kërkim të britanikut. Autoritetet spanjolle kishin lëshuar urdhër ndërkombëtar arresti për vrasësin britanik.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike, deklaroi se “jemi duke bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët tanë për të zbuluar dhe ndaluar çdo përpjekje për të hyrë ilegalisht në Britani, ndërkohë që objektivi ynë janë edhe grupet kriminale që qëndrojnë pas këtyre kalimeve ilegale”.

Edhe pse autoritetet britanike të emigracionit kanë forcuar kontrollet, fakt mbetet se shumë shqiptarë arrijnë të hyjnë ose rihyjnë ilegalisht në Britani, madje përmes formave më të sofistikuara dhe luksoze, për të mos ngjallur dyshime.